“Jo i denjë për të kryesuar” - Krasniqi kritikon Avni Deharin, thotë se duhet të tërhiqet nga drejtimi i seancës

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është kryesuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nga Avni Dehari, duke e cilësuar veprimin e tij si kundërkushtetues dhe arbitrar.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se Dehari është dashur të nisë seancën me kërkim falje për shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe injorimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Avni Dehari, të paktën, do të duhej ta kishte hapur seancën e djeshme me një kërkim falje ndaj deputetëve për veprimet e tij kundërkushtetuese,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se reagimet e Deharit ndaj deputetëve që përmendnin aktgjykimin e Kushtetueses kanë qenë arrogante dhe joprofesionale.
“Sa herë që deputetët i rikujtonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ai me arrogancë kërkonte nga regjia t’ua ndalte mikrofonin,” shton ai.
Sipas Krasniqit, sjellja e Deharit dëshmon se ai nuk është i aftë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe se më e natyrshme do të ishte që ai të tërhiqej krejtësisht nga kryesimi i seancës konstituive.
“Imponoi në mënyrë arbitrare një opsion kundërkushtetues. Injoroi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se një muaj. Dëshmoi se nuk është në gjendje të veprojë i pavarur nga diktati partiak,” ka thënë ai.
Krasniqi thekson se një kryesues i seancës konstituive duhet të jetë garantues i rregullit kushtetues dhe dinjitetit të Kuvendit, dhe jo të kontribuojë në cenimin e tij. /Telegrafi/


















































