Ata që kërkojnë Tokën e Shenjtë të Palestinës, ashtu siç përshkruhet ajo në Bibël, ata duhet të kalojnë një rrugë mjaft të vështirë. Rruga kalon nëpër Hebron, në Bregun Perëndimor dhe duhet të udhëtohet rreth 30 minuta në drejtim të jugut.

Por, rruga padyshim se ia vlen të bëhet. Ata që ndjekin këtë rrugë, do të gjejnë një qetësi, ashtu siç është përshkruar në testamentin e vjetër. Këtu para syve shfaqet një Palestinë tjetër. Shpate të mbuluara me gurë, nuk ka shtylla të telefonit, e as të rrymës, asnjë shenjë të civilizimit njerëzor. Pasi të kaloni kthesën e fundit, para syve ju shfaqet një fshat i beduinëve. Një djalosh i ri ngjitet me delet e tij në një shpat, prapa tij qëndron një grumbull i vogël i tendave dhe i shtëpive prej gurit, shkruan “Der Spiegel”, transmeton Express.


Mfagara është një prej 12 fshatrave palestineze, 1500 banorët e të cilave ruajnë një “mënyrë të jashtëzakonshme të jetës”, siç është theksuar në raportin e organizatës izraelite për të drejtat e njeriut, Btselem:”Banorët janë një prej popullatave të pakta në botë, të cilat jetojnë në shpella dhe ruajnë traditat e tyre”.

Mahmud Hamamadeh është kryetar i këshillit të fshatit, të përbërë nga 16 familje që jetojnë në Mfagara. Fytyra e nxirë nga dielli e këtij 47 vjeçari i ngjason natyrës, në të cilën jeton: duket e ashpër. Mund ta shihni si një sheik të beduinëve, por njeriu, i cili është zëri i banorëve te autoritetet, e refuzon këtë titull të vjetër arab:”Nuk jemi beduinë, por fellah, bujq. Kjo tokë na takon neve, ne nuk lëvizim nga një vend në tjetrin”.

Pranë Mahmudit qëndron ulur Murad Hamamdehi 37 vjeçar. Ai ka lindur në shpellë. Që nga ajo kohë ai jeton sikur edhe paraardhësit e tij, prania e të cilëve me shkrim filloi të dokumentohet nga viti 1830.

“Jeta ime është çdo ditë e njëjtë”, thotë bariu i ri. “Zgjohem në orën pesë të mëngjesit dhe lutem. Më pas shkojmë në fushat tona, deri rreth orës 16:00. Kthehemi, kujdesemi për bagëtinë, hamë darkë dhe pushojmë”, thotë.

Pjesa më e madhe e meshkujve të fshatit kanë nga dy, madje edhe nga tri gra. “Për katër gra shumicës ju mungojnë paratë”, thotë Mahmud. Femrat e Mfagaras, të cilat ende veshin rrobat e vjetra tradicionale palestineze, nuk kanë kontakt me të huajt dhe i shmangin ata. Bashkëshortët e tyre ju a u ndalojnë kontaktet me botën e jashtme.

Kinema? Teatër? Ndonjëherë në restorant apo koncert? Mahmud fillon të qeshë. “Kam dëshirë që në mbrëmje të pi ndonjë çaj, të bisedojë me shokët dhe të vëzhgojë bagëtinë”, thotë ai.

“Në mbrëmje rrëfejmë tregime apo flasim për atë që kemi bërë gjatë ditës. Sonte do të flas për një gazetarë, i cili erdhi këtu dhe më bëri disa pyetje qesharake”, vazhdon Mahmud.

“Nuk jetojmë këtu në mesjetë”, thotë Mahmud, duke ju përgjigjur pyetjes se a përzgjedhin prindërit partnerët për fëmijët e tyre. Ai duket i hidhëruar dhe shton:”Ne nuk jetojmë vullnetarisht nëpër shpella, pa rrymë dhe pa ujë. Jetojmë kështu vetëm për shkak se okupimi izraelit nuk na ofron mundësi për të ndryshuar ndonjë gjë”.

Befas zgjohet dhe shpien mysafirët drejtë hyrjes së shpellës së tij. Aty ende qëndrojnë mbeturinat e asaj, që dikur ishte shtëpia e tij.

“Në nëntor të vitit 2011 erdhi ushtria dhe më dha disa orë kohë që të marr gjësendet e mia. Më pas konfiskuan gjeneratorin dhe ndërprenë kabllon e rrymës”, thotë Mahmud. Vajza e saj Sausan, e vetmja studente e Universitetit nga fshati, protestoi aq ashpër, sa që qëndroi tetë ditë në burg. Ishte ky kulminacioni i luftës shumëvjeçare mes banorëve të shpellave dhe të ushtrisë, për tokën në jug të Hebronit.

Bëhet fjalë për një domosdoshmëri ushtarake, shpjegoi më vonë ushtria izraelite para gjykatës, duke theksuar se territori në fjalë nevojitet për manovra.

Por organizata Bteselem thotë se në këtë rajon mund të shihen shumë rrallë ushtarët izraelitë. Në vazhdimësi ushtria ofron shkëmbim të tokave, duke kërkuar nga banorët që të zhvendosën më tutje në jug, por ata në vazhdimësi refuzojnë ta bëjnë këtë.

Që nga pushtimi i Bregut Perëndimor në vitin 1967, Izraeli në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të vendos nën kontroll këtë territor. Në vitin 1970, ky rajon u shpall si zonë e ndaluar.

Por për Mahmudin brengë nuk paraqet vetëm ushtria, por edhe kolonitë hebreje përreth. Në këto koloni jetojnë kolonë, të cilët vazhdimisht kërkojnë konfliktin me fshatarët.

Mahmud thotë se nuk ka urrejtje ndaj Izraelit dhe kujton kohën, nga periudha e marrëveshjes paqësore të Oslos, kur ai kishte punuar punë të ndryshme në Ber Sheba dhe Tel Aviv.

“Ishte kjo jetë. Në mëngjes shkoja në punë, kthehesha në ora katër dhe kisha mundësi për të pushuar. Fitoja mjaft sa për të shijuar jetën. Por tani ka vite që nuk mund të shkoj atje, sidomos pas ndërtimit të murit kufitar. Por nuk kam probleme me izraelitët, edhe në mesin e tyre ka njerëz shumë të mirë”, thotë Mahmud.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit, situata në fshat është përmirësuar. Femrat nuk lindin më në shpella, por në spitalin në Jata, ndërsa që të 19 fëmijët nën moshën 13 vjeç shkojnë në shkollë.

Për 12 fëmijët e tij, Mahmud ka hequr dorë nga tradita e shpellave dhe ka ndërtuar një shtëpi. “Ata kanë nevojë për ujë dhe rrymë”, thotë Mahmud. Ai vetë më shumë preferon të fle në shpellë, të cilën e bleu para disa viteve për rreth 1400 euro.

“Në një shpellë të këtillë kam lindur dhe këtu dua të vdes, nëse këtë e lejojnë ushtria, gjykata izraelite dhe Allahu. Por në një të ardhme më të largët, dashtë Zoti”, nënvizon Mahmud. /Telegrafi/