LAJMI I FUNDIT:

JETA ËSHTË E MIRË

JETA ËSHTË E MIRË

Poezi nga: Langston Hughes
Përktheu: Irena Dono

Eca deri te lumi dhe në breg u ula.
Të mendoja u rreka, por nuk munda.
Kërceva në të dhe u zhyta.
Dola një herë lart dhe bërtita,
dola dy herë dhe klitha.
Po të mos kishte qenë ai ujë kallkan,
mund të isha fundosur dhe mund të kisha vdekur.
Por ishte i ftohtë ai ujë! Ishte akullsirë!
Pastaj në ashensor hipa,
gjashtëmbëdhjetë kate lart u ngjita.
Mendova për të dashurën time,
mendova të hidhesha
por qëndrova aty dhe bërtita!
Qëndrova dhe klitha!
Po të mos kisha qenë aq lart nga toka,
mund të isha hedhur dhe do të kisha vdekur.
Por ishte aq lart atje! Ishte aq lart!
Pra, përderisa jam ende këtu duke jetuar,
besoj se do të vazhdoj të jetoj.
Mund edhe të kisha vdekur për dashurinë,
por u linda për të jetuar.
Nëse ti mund të më shohësh duke bërtitur
dhe duke klithur mund të më dëgjosh,
ta dish, e ëmbla ime, se do të jem i mërzitur,
nëse të vdekur do të më shohësh.
Jeta është e mirë! E mirë si vera! Jeta është e mirë!