Jeta e cezarëve

Nga: Delphine Strauss / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë ngritjes së tij në pushtet, Jul Cezari nxitoi të siguronte për vete një mori të funksioneve publike, sepse kishte nevojë të fitonte imunitet nga ndjekja penale. Augusti, një kurator i kujdesshëm i imazhit të vet, mbathte sandale me taka për t’u dukur më i gjatë, ndërsa perandori jetëshkurtër, Otoni, mbulonte flokët e rëna me një paruke. Domiciani, i cili e tmerronte Senatin e Romës ndërsa përmbytej në paranojë, rrinte i vetëm dhe i therte mizat me një penë të mprehur.
Kështu të paktën na thotë Svetoni në veprën e tij skandaloze, por me detaje të përpikta, Jeta e cezarëve - shkruar në shekullin II pas Krishtit, kur ende qarkullonin thashethemet për veset personale, veprimet publike dhe devijimet private të 12 burrave që kishin mishëruar pushtetin perandorak përgjatë 150 vjetëve.
Ka shumë jehonë bashkëkohore në këtë përkthim të ri nga historiani dhe podkasteri Tom Holland - botuar nga [Shtëpia Botuese] Penguin pikërisht tani kur burri i fortë i kohëve tona po kthehet me vetëbesim në skenën politike amerikane, duke kërcënuar me shembje të kufijve kushtetues. Por, nëse cezarët e Svetonit na duken të njohur, kjo është kështu sepse - siç thotë vetë Holland - ai na dha “modelin se si duhet të shkruhet biografia e një sundimtari të madh”.
Svetoni, një zyrtar me lidhje të fuqishme që shërbeu si sekretar privat i Adrianit, u mbështet në një shumëllojshmëri burimesh - letrat e shkruara me dorën e vetë Augustit të cilat ruheshin në arkiva, raportet publike nga provincat, kujtimet e babait të tij për shërbimin ushtarak nën Otonin, si dhe anekdotat e batutat që qarkullonin në opinionin publik.
Ai nuk kishte për qëllim të jepte një rrëfim kronologjik të ngjarjeve. Përkundrazi, pasi përshkroi shkurtimisht prejardhjen familjare dhe karrierën, portretet e tij letrare janë të organizuara sipas temave - duke filluar nga cilësitë e admirueshme të çdo sundimtari, përpara se të kalonte te mangësitë e tyre; duke listuar ndërtimet publike dhe iniciativat legjislative, por edhe preferencat seksuale, gladiatorët apo skuadrat e garave të preferuara, si dhe fallxhorët që parashikonin ngritjen apo rënien e tyre nga pushteti.
Rezultatet mund të jenë të habitshme: si ta bëjmë bashkë një Neron që financoi projekte ndërtimi të qëndrueshme ndaj zjarrit, me zjarrvënësin i cili këndonte ndërsa qyteti digjej? Apo Vitelion i cili lavdërohej si një administrator i ndershëm në provincë, me një servil të shthurur që shahej në Romë dhe i cili bënte gara me karroca me Kaligulën dhe shërbente gjuhë të flamingove në banketet që organizonte?
Por, Jeta e cezarëve është e mbushur me detaje interesante dhe skena të paharrueshme. Ja ku është Augusti i cili merakoset për dorëshkrimin e nipërve të vet dhe që ua mëson notin. Ja Tiberi koprrac që shërben vetëm gjysmën e një derri të egër në një darkë. Dhe, ja Vespasiani modest që shpërthen në të qeshura kur dikush përpiqet t’ia bëjë qejfin duke ia lidhur prejardhjen me Herkulin. Dhe, ndonëse Svetoni ndonjëherë ndodhet përballë burimeve të kundërta që nuk mund t’i pajtojë, kur Jeta lexohet si një tërësi, ofron një tablo koherente dhe gjithëpërfshirëse se si autokracia lëshoi rrënjë në shtetin romak.
Mbi të gjitha, libri flet për aspektin teatral që ishte e nevojshëm për të ruajtur imazhin perandorak. Çdo cezar mund të gjykohet sipas përmasës dhe karakterit në gjueti, luftëra, gara dhe beteja detare që organizonte. Neroni mbante gara me qerre të tërhequra nga devet; Kaligula shkelte normat shoqërore duke luftuar vetë si gladiator; Domiciani e hodhi një spektator përpara qenve, vetëm sepse ai e bëri një koment.
Por, i gjithë ky spektakël kërkonte para dhe mbështetje ushtarake. Cezarët vazhdimisht krijonin borxhe, duke zhvatur trashëgiminë dhe duke konfiskuar pronat e armiqve për të paguar shfaqjet, madhështinë dhe legjionet. Vespasiani - më pak aristokrat dhe më pak i pamëshirshëm se të tjerët - është i vetmi perandor që u konsiderua i padenjë ngaqë përfitoi nga tregtia, ndërsa godiste korrupsionin dhe rriti taksat, përfshirë edhe atë mbi urinën. Ndershmëria e tij u bë objekt talljeje.
Në shumë prej këtyre aspekteve, bota e Svetonit është një botë të cilën mund ta njohim. Por, vlerat dhe dhuna e përhapur që përshkon veprën e tij, mund të na duken thellësisht të panjohura. Duken të tmerrshme helmimet dhe intrigat vrastare që tronditnin familjet perandorake, si dhe përndjekjet që cezarët ndërmerrnin ndaj komplotistëve. Por, Svetoni lavdëron vendimet për të zbatuar disiplinën mes legjionarëve përmes decimatio-s [ekzekutimi i një në dhjetë ushtarëve në një grup ushtarak, për shkelje të ndonjë rregulli], apo për të ndëshkuar një virgjëreshë vestale [priftëreshë e kultit të perëndeshës Vesta], që kishte thyer betimin, duke e varrosur për së gjalli - sipas zakonit të lashtë.
Otoni e kishte shlyer veten, në fund, përmes një vetëvrasjeje që ka të bëjë me një vendimmarrje. Degjenerimi i Neronit paraqitet qartë përmes frikës dhe hezitimit të tij për t’ia prerë vetes fytin. Megjithatë, pas vdekjes së Neronit, që e zhyti sërish perandorinë në trazira të reja, shumica e romakëve duket se ishin ngopur me dhunën. Vitelio, që ecte mbi një fushëbetejë të mbushur me gjak, i neveriti shokët e vet kur tha se një armik i vdekur “kishte një erë të këndshme”. Argumenti kryesor për emërimin e një perandori të ri ishte i qartë: një cezar mizor dhe i paqëndrueshëm ishte më i pranueshëm se lufta civile. /Telegrafi/
















































