Jelko Kacin - person i padëshirueshëm në Serbi

Sipas portalit serb Press, që i referohet burimeve të mirinformuara qeveritare, Kacin ka tejkaluar kufirin e sjelljes dhe kjo s’është hera e parë. “Në opinionin tonë Kacinit i jepet shumë më tepër rëndësi se sa që ai realisht e ka si raportues i Parlamentit Evropian. Ai është raportues dhe detyrë e tij është të shkruajë raporte për këtë parlament. Ekzistojnë mënyra që Serbia ta njoftojë BE-në për dëmin e deklaratev të tij”, ka thënë burimi serb pranë qeverisë, njofton Press, raporton Koha.
Kacini, në anën tjetër, sqaron për portalin serb se ai nuk e ka ndërmend të përzihet në punë të brendshme të qeverisë serbe, dhe se vetëm është përgjigjur në një pyetje të gazetarit, i cili e ka cituar gabimisht. Ai i ka thënë gazetarit se “çdo rikonstruktim i qeverisë serbe do të ishte kontribut përafrimit” të Serbisë drejt Evropës.
Ndaj europarlamentarit slloven ka reaguar edhe mitropolia malazeze e Kishës Ortodokse Serbe dhe kreu i saj, Amfillohije. Kacini e kishte quajtur mitropolitin Amfillohije - kolonel. “Mitropoliti e përfaqëson kishën dhe në disa vite të fundit ai në paraqitjet e tij ka qenë shumë militant. Epitetin kolonel nuk e kam shpikur unë. Ai është në përdorim në Maline Zi që moti”, është arsyetuar Kacini. E gjithë kjo lidhet me historinë e vendosjes së një kishe serbe nga metali në majë të malit Rumia (me ndihmën e helikopterëve të Ushtrisë së ish-unionit Serbi-Mali i Zi), të cilën autoritetet malazeze kanë vendosur ta heqin kishën e tillë, kurse Amfillohije është kërcënuar se do të rrënojë xhaminë. Për gjithë këtë Kacini ka raportuar në PE. /Telegrafi/
















































