Aktori i njohur spanjoll, Javier Bardem, ka rrëfyer së fundmi për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, teksa ishte duke xhiruar filmin fitues të Oscar-it “No Country for Old Men”.

Në një intervistë për The New York Times, Bardem pranoi se ishte në një gjendje të thellë depresioni gjatë atyre muajve dhe se e përballoi pjesërisht falë ndihmës së mikut të tij dhe bashkë-aktorit Josh Brolin.


“Josh vinte dhe hapte dritaret sepse jetoja në një shtëpi të errët. Ai hapte perdet dhe më merrte për një shëtitje. Fillova të ndjej: ‘Ah, ekziston gëzimi. Jam me fat që jam gjallë’”, tregoi Bardem.

Javier Bardem

Ai sapo kishte përfunduar një lidhje të gjatë dhe ndjehej i shkëputur nga kënaqësitë e jetës: “Nuk arrita të mendoj gjëra të errëta, por isha i trishtuar. M’u desh pak kohë që të dilja nga ajo gjendje”.

Pavarësisht suksesit që filmi i solli – përfshirë një çmim Oscar dhe afirmimin si një yll i vërtetë në Hollywood – për Bardem, ajo kohë mbeti një sfidë personale.

Ai kujton se gjatë xhirimeve në disa qytete të Texas përjetoi sjellje dhe shikime që nuk ishin aspak të këndshme.

“Isha tashmë i njohur në kinemanë spanjolle dhe kisha jetuar në New York e Los Angeles, ku nuk e kisha ndjerë veten kaq të vetëdijshëm për veten time”, tha ai.

Ky rrëfim i sinqertë hedh dritë mbi një anë më të thellë dhe njerëzore të Javier Bardem – atë të një njeriu që, përveç famës dhe suksesit, ka kaluar përmes dhimbjes, dashurisë dhe ringritjes. /Telegrafi/