Edhe pse standardet e bukurisë shpesh nënkuptojnë lëkurë të lëmuar pa qime, është plotësisht e zakonshme dhe krejtësisht normale që gratë të kenë qime në fytyrë, qoftë përgjatë nofullës, mbi buzë apo në mjekër

Megjithatë, kur qimet shtohen me shpejtësi dhe bëhen më të dendur në fytyrë e trup, kjo mund të tregojë se diçka nuk shkon. Sipas gjinekologes Shveta Desai dhe dermatologes Michele Green, ndryshimet e papritura në rritjen e qimeve mund të jenë ndër shenjat e para të një çekuilibri hormonal.


Pse shfaqen qimet në fytyrë te gratë?

Sipas Desai, një sasi e vogël qimesh në fytyrë është normale dhe nuk duhet parë si problem. Edhe Green shton se qimet e holla dhe të shpeshta ose disa qime të trasha e të errëta herë pas here, p.sh. në mjekër, nuk janë arsye për shqetësim.

Problemi lind kur qimet bëhen të shumta, të trasha dhe të dukshme, gjendje e njohur si hirsutizëm.

Hirsutizmi prek rreth 5-10% të grave në moshë riprodhuese, thotë Desai, ndërsa shkaktohet nga rritja e nivelit të testosteronit.

Për diagnostikimin, merren parasysh mosha, raca dhe historia familjare. Mjeku zakonisht kontrollon zonat më të ndjeshme ndaj androgjeneve: buzën e sipërme, mjekrën, gjoksin, barkun, pjesën pubike, krahët, kofshët dhe shpinën. Nëse konstatohet rritje e tepërt qimesh, zakonisht kemi të bëjmë me një çekuilibër hormonal, transmeton Telegrafi.

Shkaqet më të zakonshme përfshijnë:

▪ Sindromën e vezoreve policistike (PCOS) që fillon zakonisht në pubertet.
▪ Tumoret që prodhojnë androgjene.
▪ Çrregullimet e gjëndrës mbiveshkore, si hiperplazia kongjenitale.

Kur janë qimet në fytyrë shenjë paralajmëruese?

Rritja e shpeshtë e qimeve është shpesh pasojë e çekuilibrit hormonal. Megjithatë, rol luajnë edhe gjenetika dhe metabolizmi. Përveç PCOS dhe çrregullimeve të gjëndrës mbiveshkore, edhe shtatzënia dhe menopauza, të cilat sjellin ndryshime hormonale të forta, mund të shkaktojnë ndryshime në rritjen e qimeve.

Green thekson se disa barna, si minoxidil apo ilaçet me testosteron, mund të kontribuojnë në këtë gjendje. Në raste të rralla, shfaqja e tepërt e qimeve mund të lidhet me hipertrikozën, gjendje ku qimet rriten në zona që nuk varen nga androgjenet, zakonisht për shkak të gjenetikës, por edhe hipotiroidizmit, anoreksisë apo përdorimit të barnave të caktuara.

Shenjat që duhet të çojnë te mjeku

Qimet e holla apo të rralla nuk përbëjnë problem. Por nëse vëreni ndryshim të dukshëm në dendësinë ose pamjen e qimeve në fytyrë, është mirë të vizitoni mjekun. Këto ndryshime mund të tregojnë hiperandrogjenizëm, shpesh i lidhur me PCOS. Shenjat e tjera janë aknet, tensioni i lartë i gjakut, menstruacionet e çrregullta, trashja e zërit, shtimi në peshë dhe rritja e masës muskulore.

Kur dhe kë tek të drejtoheni?

Green rekomandon që në raste të tilla të konsultoheni si me dermatologun, ashtu edhe me gjinekologun, të specializuar për çrregullime si PCOS. Vetëm përmes ekzaminimeve mund të përjashtohen shkaqe që kërkojnë trajtim mjekësor.

Si hiqen qimet e padëshiruara në fytyrë?

Zgjedhja varet nga shkaku i rritjes:

▪ Trajtimi me barna: ilaçe për uljen e testosteronit (p.sh. spironolactone) ose kontraceptivë oralë që balancojnë hormonet.

▪ Metodat kozmetike: piskatore, zbardhues, depilim me dyllë ose laser. Green thekson se laser-i është metoda më efektive afatgjatë, pasi ndalon rritjen e qimeve pa dëmtuar lëkurën.

▪ Elektroliza: sipas Cleveland Clinic, është një metodë tjetër e përhershme, ku një tel i hollë futet në folikulën e qimes dhe një rrymë elektrike shkatërron rrënjën. Rezultatet janë të qëndrueshme, por procedura mund të jetë e kushtueshme dhe e dhimbshme.

Si ta zvogëloni rritjen e qimeve natyrshëm?

Sipas Healthline, disa metoda natyrale mund të ndihmojnë:

▪ Kurkuma dhe qumështi: Përzieni një lugë kurkumë me një lugë qumësht, aplikojeni mbi buzën e sipërme, lëreni të thahet për 20 minuta, më pas fërkojeni butësisht në drejtim të kundërt të rritjes së qimeve dhe shpëlajeni me ujë të ftohtë.

▪ Sheqeri dhe kamomili: Përgatitni një pastë me çaj kamomili, sheqer dhe lëng limoni. Pasi të ftohet, aplikojeni mbi buzën e sipërme, vendosni një copë pambuku mbi të dhe hiqeni shpejt në drejtim të kundërt të rritjes së qimeve. Pastën e mbetur mund ta ruani për përdorime të tjera.

Pasta e sheqerit

Shumë gra përdorin depilimin me pastë sheqeri si një mënyrë natyrale për të hequr qimet e padëshiruara nga fytyra. Përparësia më e madhe është se këtë pastë mund ta përgatisni vetë në shtëpi. Ja si:

▪ Vendosni katër qese çaji kamomili në një tenxhere, shtoni ujë dhe lëreni të vlojë.
▪ Pasi të ketë zier për dy minuta, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet për rreth 30 minuta.
▪ Nxirrni qeset e çajit dhe kullojeni 1/4 filxhan çaj kamomili në një enë të veçantë.
▪ Në zjarr mesatar shtoni 2 filxhanë sheqer dhe 1/4 filxhan lëng limoni të shtrydhur freskët, duke e përzier derisa të bashkohet plotësisht.
▪ Lëreni të vlojë, pastaj ulni zjarrin dhe ziejeni edhe disa minuta.
▪ Kalojeni përzierjen në një enë dhe prisni të ftohet.
▪ Aplikoni pastën mbi buzën e sipërme me një shkopth druri (si ato të akullores).
▪ Vendosni mbi të një copë pambuku për depilim dhe mbajeni për disa sekonda.
▪ Tërhiqeni me shpejtësi në drejtim të kundërt të rritjes së qimeve.

Nëse nuk e shpenzoni të gjithë përgatitjen, mund ta ruani në një enë hermetike dhe ta përdorni përsëri sa herë të nevojitet. /Telegrafi/