Jahti luksoz i një lojtari spanjoll pokeri përfshihet nga flakët me 17 persona në bord, përpara se të fundoset në brigjet e një ishulli mesdhetar
Ky është momenti dramatik kur një jaht luksoz që thuhet se është në pronësi të një lojtari profesionist pokeri me nofkën "Luani" shpërtheu në flakë përpara se të fundosej në ishullin mesdhetar të Formentera.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pesë pjesëtarë të ekuipazhit dhe 12 pasagjerë thuhet se kanë qenë në bordin e jahtit të quajtur Irmao, por kanë mundur ta braktisin atë në kohë, pavarësisht shpejtësisë me të cilën jahti i projektuar nga Italia u shndërrua në një ferr lundrues.
Rojet bregdetare spanjolle konfirmuan këtë pasdite se gjatë tërheqjes së jahtit të djegur, anija u fundos në një pikë referimi natyrore të quajtur Punta de Sa Pedrera në Formentera.
Vetëm një nga anëtarët e ekuipazhit, i përshkruar si një spanjoll 39-vjeçar, kishte nevojë për trajtim spitalor për djegie të lehta sipas koordinatorëve rajonalë të reagimit të urgjencës.
Alarmi thuhet se ra rreth orës 18:00 të ditës së shtunë, ndërsa jahti, i cili kushton rreth 50 mijë euro me qira gjatë verës, u ankorua në plazhin Es Cavall d'en Borras në Parkun Natyror Ses Salines.
Dëshmitarët u mblodhën aty pranë me varkat e tyre për të parë zjarrin ndërsa tymi i zi i dendur ngrihej në qiell mbi anijen e goditur, e cila kuptohet se është në pronësi të lojtarit të pokerit Diego Gomez Gonzalez, i njohur gjithashtu si Luani.
Nuk dihet ende nëse Gonzalez ishte në jahtin e tij apo nëse ishte dhënë me qira. 34-vjeçari, nga Madridi, e mori pseudonimin e tij pasi u vesh me një kostum luani në tryezën e Turneut Evropian të Pokerit 2012 në Pragë.
Mediat lokale raportojnë se ai ka lindur në kryeqytetin spanjoll në vitin 1988 dhe mësoi pokerin duke luajtur me familjen dhe miqtë e tij të shkollës.
Më pas ai filloi ta përdorte atë në internet dhe më vonë iu bashkua qarkut spanjoll të pokerit. Fitorja e tij më e madhe në karrierë ishte në European Poker Tour në Pragë, kur ai doli i pesti dhe mori 200,000 £ (rreth 230 mijë euro) ndërsa ishte i veshur si luan. /Telegrafi/

































