Të paktën 20 komandantë të lartë iranianë janë vrarë në sulmet izraelite ndaj Iranit, raporton agjencia reuters, duke cituar dy burime rajonale.

Ndër të vrarët është, sipas raportimeve, edhe Amir Ali Hajizadeh, shefi i programit raketor të Gardës Revolucionare Iraniane.


Gjithashtu, siç është bërë e ditur më herët, është vrarë edhe komandanti kryesor i Gardës Revolucionare Iraniane, Hossein Salami, si dhe shefi i shtabit të forcave të armatosura, Mohammad Bagheri.

Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se në sulme është plagosur edhe një nga këshilltarët më të afërt të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Sipas një raporti të AFP-së, televizioni shtetëror iranian ka njoftuar se "Ali Shamkhani, këshilltar i udhëheqësit suprem... është plagosur në sulmin e sotëm të regjimit sionist".

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se shumica e komandës së forcave ajrore të Gardës Revolucionare është eliminuar gjatë sulmeve izraelite. Sipas tij, ata ishin mbledhur në një qendër komanduese nëntokësore në momentin kur janë goditur.

Kjo është goditja më e rëndë ndaj strukturës së lartë ushtarake iraniane në vitet e fundit, ndërsa detajet mbi numrin e viktimave dhe përmasat e sulmit janë ende duke u mbledhur. /Telegrafi/