LAJMI I FUNDIT:

Izet Zeqiri në “PodGo”: Kemi realizuar dy projekte të mëdha në Universitetin “Nënë Tereza”, nuk do të rikandidoj për rektor

Izet Zeqiri në “PodGo”: Kemi realizuar dy projekte të mëdha në Universitetin “Nënë Tereza”, nuk do të rikandidoj për rektor

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” Izet Zeqiri, është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për tema të ndryshme. Zeqiri i cili përveç jetës akademike, së fundmi ka bërë edhe ekspozita artistike, tha se arti e ndihmon në jetën e përditshme. Ai foli për pozitën e tij si rektor i Universitetit “Nënë Tereza”, duke theksuar dy projekte të rëndësishme që ka arritur.

“Para dy vite e gjysmë kam marrë pozitën e rektorit të Universitetit Nënë Tereza. Si deputetë dhashë dorëheqje pasi nuk arrita të fitoj besimin e qytetarëve dhe isha i papërmbushur në karrierë dhe doja të jap kontributin në arsim. Kur shkova në UNT me përvojën time në arsim, dëshiroja që atë përvojë ta jap atje. Atje arritëm të realizojmë dy projekte të rëndësishme. Arritëm ta bëjmë kampusin në kazermën Ilinden dhe arritëm ta bëjmë projektin për ndërtimin e kampusit të ri, i cili është aprovuar në Qeveri dhe së shpejti do të fillojë të ndërtohet”, tha Zeqiri, i cili theksoi se nuk do të konkurrojë për mandat të dytë për rektor në UNT.


Ndërsa sa i përket ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, ai tha se ekonomia dita ditës ngarkohet dhe se standardi jetësor në vend është mjaft i ulët.

“Situata ekonomike në vend nuk është e volitshme, dhe kjo është një nga arsyet pse kam filluar të merrem me art. Situata ekonomike dita ditës ngarkohet. Kemi standard jetësor thuajse të fundit në Ballkanin Perëndimor. Kemi rritje të ulët të GDP-së. Është vështirë të ndikohet në politikat ekonomike të shtetit. Çdo investim që bënë shteti e bënë me futje në borxh. Kemi pagën mesatare më të ulët. Kemi rrogën minimale më të ulët në gjithë rajonin. Kemi varfëri ekstreme të popullatës”, tha Zeqiri.

“E para që duhet ta bëjmë është të merremi me produktivitetin e të punësuarve në administratë publike. Kemi produktivitetin më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk nënkupton të harxhojmë më shumë fuqi fizike për të punuar, por të punojmë me mend. Duhet ta luftojmë korrupsionin”, tha mes tjerash Zeqiri.

Ndërsa sa i përket zhvillimit të turizmit në qytetin e Tetovës dhe Kodrën e Diellit, Zeqiri tha se është mjaft e rëndësishme që të ketë plan urbanistik, si dhe oferta turistike.

“Ne jemi të dështuar në zhvillimin e turizmit, posaçërisht atë malor në Kodrën e Diellit. Janë premtuar projekte shumë punë, por asgjë nuk është bërë. Është humbje që këto resurse nuk arrijmë t’i vendosim në të mirë të qytetit. Nuk ka strategji dhe sektor të fuqishëm të turizmit në kuadër të Komunës së Tetovës. Nuk ka ofertë turistike. Mendoj që është mjaft e rëndësishme të ketë plan urbanistik, të lejohen investimet dhe të ketë ofertë turistike. Tetova është e zhvilluar dhe ka kapacitete turistike, por duhet të punohet”, tha mes tjerash Zeqiri./Telegrafi/