Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka reaguar lidhur me rezultatin e marrë në Zgjedhjet Lokale 2025, ku doli i treti.

Në një video të publikuar për mbështetësit e tij, Ismaili falënderon të gjithë bashkëpuntorët dhe vullnetarët, duke pranuar se është i zhgënjyer me rezultatin, por i motivuar nga puna dhe mbështetja e ekipit, raporton Telegrafi.


“Të dashur mbështetës, aktivistë vullnetarë e miq. Po e bëj këtë video me ju falëndero të gjithëve prej zemrës për dashninë, besimin, mbështetjen e angazhimin tuaj gjatë kësaj fushate. Ju keni qenë frymëzimi im më i madh”, thotë Ismaili.



Ai shton: “Ju faleminderit për gjitha! E kemi ndërtu një fushatë ndryshe, një fushatë me respekt, me vlera dhe me një dashuri të madhe për Prishtinën”.

Ndërsa për rezultatet, kandidati shprehet: “Edhe pse kemi rritje të votave gjithandej dhe kemi arritur të jemi partia e dytë në asamble, ky nuk është rezultati për të cilin kemi shpresu”.

“Por prapëseprapë jam shumë krenar për punën ekipore dhe frymën pozitive që kemi përfaqësu në qytet. Ju faleminderit të gjithëve, edhe një herë nga zemra e shihemi Prishtinë!”, përfundon Ismaili. /Telegrafi/