Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, ka folur për pritjet e PDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Ismaili tha se Prishtina historikisht është konsideruar territor i vështirë për PDK-në, duke u perceptuar se partia kishte një “tavan” të votave në kryeqytet. Sipas tij, ky perceptim është rrëzuar në zgjedhjet e fundit komunale, ku PDK-ja shënoi rritje të ndjeshme me kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës.


Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve komunale në kryeqytet dëshmoi se PDK-ja nuk ka më kufizime në Prishtinë dhe se rritja e arritur aty është tregues se një trend i tillë është i mundur edhe në nivel nacional.

Duke folur për pritjet nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Ismaili u shpreh se kjo rritje i jep besim dhe shpresë se rezultati i PDK-së do të jetë edhe më i mirë në zgjedhjet parlamentare.

“Me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, konsideroj që do të jetë numri më i madh i votave që PDK-ja ka marrë ndonjëherë në nivel nacional,” tha Ismaili.