Islanda nuk është më i vetmi vend pa mushkonja - ndryshimi klimës ka sjellë insekte në ishull

Islanda, një nga vendet e fundit në botë pa mushkonja, nuk është më e tillë.
Shkencëtarët kanë konfirmuar se këta insekte janë zbuluar për herë të parë në vend, dhe si shkak i këtij fenomeni janë përmendur ndryshimet klimatike të përshpejtuara.
Entomologu Matthias Alfredsson nga Instituti i Shkencave Natyrore të Islandës konfirmoi se tre ekzemplarë të llojit Culiseta annulata janë zbuluar në zonën Kidafell.
Insektet i vuri re për herë të parë banori Bjorn Hjaltason, i cili i kishte parë në një shirit vere që ishte vendosur si kurth për fluturat e natës, dhe më pas i dërgoi për analizë, raporton theguardian.
Kjo lloj mushkonje njihet për qëndrueshmërinë e saj ndaj të ftohtit dhe aftësinë për të mbijetuar dimrin duke u fshehur në bodrume dhe stalla.
Sipas të dhënave të shkencëtarëve, Islanda po ngrohet katër herë më shpejt se pjesa tjetër e hemisferës veriore. Në vend tashmë janë të dukshme ndryshimet klimatike: akullnajat po tërhiqen dhe në ujërat islandeze po shfaqen peshq nga zona më të ngrohta, siç është skumbria.
Ekspertët paralajmërojnë se moti më i ngrohtë mund të krijojë kushte për përhapjen e mushkonjave edhe në rajone të tjera veriore.
Raste të ngjashme janë shënuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku këtë vit janë zbuluar vezë të mushkonjës egjiptiane dhe mushkonjës tigër aziatike – lloje që mund të transmetojnë sëmundje si denga, çikungunja dhe virusi Zika. /Telegrafi/


















































