Sulmuesit gjigant, Basit Khalid i shtohet edhe një eksperiencë gjatë aventurës së tij në trojet shqiptare.
Ish-sulmuesi i Prishtinës që kaloi te Teuta në verë, u “shkund” nga tërmeti i mëngjesit të së martës, që goditi më së shumti pikërisht qytetin e skuadrës së Khalid, Durrësin.
Duke rrëfyer tmerrin që përjetoi në ato momente, Khalid ka treguar për gazetën se si i ka shpëtuar më të keqes.
“Tërmetin sigurisht që e kam ndjerë dhe më ka tronditur, mirëpo unë fatmirësisht nuk jam lënduar”, deklaroi Khalid për Gazetën Olle.
“Atë mbrëmje, unë dola me shpejtësi pas tërmetit dhe më pas qëndrova jashtë”, shtoi ai.
Ditën fatkeqe Khalid e ka kaluar me shokët e skuadrës.
Më pas ai është larguar nga Durrësi, pasi që tërmetet e atjeshme ishin të vazhdueshme dhe situata rëndohej gjithnjë e më shumë.
“Unë kam qëndruar vazhdimisht me shokët e skuadrës”, tregon Khalid.
“Ditët e fundit nuk i kam kaluar në Durrës, pasi që tërmetet kanë qenë të njëpasnjëshme”, shtoi ai.
Ganezi ka shprehur keqardhjen e tij për këtë tragjedi që i ndodhi kombit shqiptar.
Numri i viktimave që la pas tërmeti tragjik i Shqipërisë ka shkuar në 50.
Shifrën e ka dhënë sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.
Në total janë pak më shumë se 900 të plagosurit, nga të cilët 41 janë ende të shtruar në spital.