Parlamenti Evropian ka miratuar përfundimisht liberalizimin e vizave për Kosovën, por a ka mundësi që zbatimi i këtij vendimi të bëhet më herët se 1 janari i vitit 2024, dhe qytetarët të lëvizin lirshëm në këtë vit? Për këtë, ka folur Mimoza Ahmetaj, ish-ministre e Integrimeve Evropiane.

Gjithashtu, sipas saj, ka pasur gjasë të përfundonte ky proces më herët, por Kosova e ka humbur disa herë mundësinë e liberalizimit të vizave për disa arsye, që ajo ka përmendur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Kjo është meritë e gjithë qytetarëve të Kosovës, e institucioneve të vendit, dhe në këtë ditë është shumë pak e rëndësishme të bëhet diskutimi se merita e kujt është, dihet saktësisht se kush ka qenë dhe e kanë pasur mbi supet e veta gjithë procesin për vite të tëra, dhe po ashtu dihet se kush e ka bllokuar, pikërisht për çështje të Demarkacionit me Malin e Zi, dhe mendoj që një gjë të tillë është më tepër sesa e kemi konsumuar”, ka deklaruar ajo.

Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore.

Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo me gjithë faktin se Komisioni Evropian qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.