Ish-lojtari i West Ham mburrej në Instagram për shitjen e drogës - tani ai u dënua me 3 vjet burg

Ish-futbollisti Thierry Never, ka përfunduar në burg pasi u kap duke u mburrur hapur në rrjetet sociale për trafik droge përmes videove me stil repi, raportoi e përditshmja britanike The Sun.
Nevers, i rritur në akademinë e West Ham dhe me periudha te Newport County, Bradford City dhe Sheriff Tiraspol, iu bashkua Varaždinit në verën e vitit 2024.
Megjithatë, aventura e tij në Kroaci zgjati pak: ai luajti vetëm dy ndeshje në HNL, me gjithsej 66 minuta lojë, dhe nuk ishte më pjesë e ekipit në këtë sezon.

Klubi e ndërpreu kontratën në mënyrë të njëanshme sezonin e kaluar, pasi futbollisti nuk ishte paraqitur dhe nuk kishte përmbushur detyrimet profesionale.
Nevers është dënuar nga një gjykatë britanike me tre vjet burg për trafikim të drogave të Klasit A — substanca shumë të rrezikshme dhe të kontrolluara si heroina, kokaina, LSD dhe MDMA.
Sipas gjykatës, ai udhëtonte rregullisht nga Dorrington drejt zonës së Reading, ku shpërndante drogën. Hetimet zbuluan gjithashtu se ai publikonte video në Instagram ku mburrej hapur për aktivitetin e tij kriminal.

Bashkëpunëtori i Nevers, Allan Barrass (50), u dënua me dhjetë vjet burg. Ai u shpall fajtor për të njëjtat akuza, si dhe për posedim të një arme gjahu. Policia gjeti sasi të konsiderueshme droge në banesën e tij, ndërsa kontrolli i telefonit celular zbuloi komunikim të rregullt dhe prova të qarta të bashkëpunimit mes Barrass dhe Nevers. /Telegrafi/


















































