Vendimi i kryetarit aktual të Komunës së Zveçanit, Dragisha Millovi, për ndërprerjen e kontratave të dy zyrtarëve komunalë po cilësohet i kundërligjshëm. Ish-kryetari i komunës, Ilir Peci, thotë se arsyet e përmendura në vendim nuk qëndrojnë dhe se procedura është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë për KosovaPress se kryetari aktual javën e kaluar ua ka ndërprerë kontratat dy zyrtarëve komunalë, ndonëse ata ishin të punësuar me afat të pacaktuar.


Ai theksoi se arsyet e përmendura në vendim, mungesa e vlerësimit, trajnimeve dhe buxhetit, nuk qëndrojnë dhe nuk përbëjnë bazë ligjore për largimin e tyre nga puna.

“Javën e kaluar, kryetari i tanishëm ka marrë vendim dhe ua ka ndërprerë kontratat, vendimet e përgjithshme që i kanë pasur zyrtarët komunalë. Gjatë kohës sime si kryetar, ata janë punësuar me afat të pacaktuar, mirëpo pas gjashtë muajsh është dashur t’u vazhdohet emërimi, ndërsa tani u është ndërprerë kontrata me tri pika të përmendura në vendim. Këto tri pika nuk kanë të bëjnë me largimin e dy zyrtarëve. Pika e parë ka qenë se nuk është bërë vlerësimi i duhur i tyre, ndërkohë që vlerësimi është bërë sa kam qenë unë kryetar i komunës. Për momentin nuk ka pasur kush ta bëjë vlerësimin, pasi nuk ka pasur shefa sektorësh e as drejtorë, pra nuk ka pasur persona përgjegjës për vlerësim. As kryetari i komunës nuk ka thirrur ndonjë takim për të parë se çfarë pune kanë kryer këta zyrtarë gjatë gjashtë muajve. Pika e dytë është se gjoja nuk kanë kryer seminare të mjaftueshme, por seminaret nuk mund t’i kërkojnë vetë zyrtarët. Ato caktohen nga zyra e kryetarit dhe stafi i tij. Pika e tretë është se komuna e Zveçanit nuk ka buxhet, çka nuk qëndron. Çdo komunë, kur hap një vend pune, e parasheh buxhetin për tërë periudhën, sidomos kur kontratat janë me afat të pacaktuar dhe jo për gjashtë muaj apo një vit. Pra, këto tri pika nuk qëndrojnë asnjëra”, thekson Peci.

Peci tha se është njoftuar nga dy zyrtarët e larguar dhe se qëndron në mbështetje të tyre, duke theksuar se drejtësia duhet të respektohet në rastin e tyre.

“Jam lajmëruar menjëherë nga disa zyrtarë të komunës, konkretisht nga këta dy zyrtarë që janë larguar nga puna. Unë, si asamblist dhe i vetmi shqiptar në Komunën e Zveçanit, jam në mbështetje të tyre dhe në mbështetje të së drejtës”- ka deklaruar Peci

Ai ka thënë se vendimi për ndërprerjen e kontratave është i kundërligjshëm dhe tash po ndiqet në rrugë ligjore nga Këshilli dhe Gjykata.

“Në një takim kam marrë pjesë me kryetarin e tanishëm të Zveçanit dhe dy zyrtarët. I kam sqaruar se, bazuar në këto pika, bëhet fjalë për shkelje ligjore dhe se vendimi nuk është i drejtë. Megjithatë, ai është kryetar dhe e ka marrë vendimin. Tani, Këshilli apo Gjykata janë instancat ku po ndiqen të gjitha rrugët ligjore”- ka thenw Ilir Peci

Vedat Musa, i larguar nga puna në Komunën e Zveçanit, ka thënë për KosovaPress se arsyet e përmendura nga kryetari aktual Dragisha Milloviq janë skandaloze.

Musa ka shtuar se, duke qenë me akt-emërim, paga e tij duhet të sigurohet deri në daljen në pension.

“Arsyet e përmendura në vendimin për shkarkimin tim nga pozita që kam pasur, nga kryetari i tanishëm Dragisha Milloviq, janë skandaloze. E para, se komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të paguar asistentë administrativë. E dyta, se nuk ka raport vlerësimi nga drejtori apo kryetari i komunës për periudhën pesëmujore sa ka qenë kryetar Ilir Peci. Unë e di dhe e kam me vete vendimin për vlerësimin që më është bërë për periudhën pesëmujore. Po ashtu, kur shteti hap konkurs për një pozitë të caktuar, buxheti sigurohet për atë pozitë. Unë jam me akt-emërim dhe përderisa je me akt-emërim, paga të sigurohet deri në pension“- tha Musa

Ai ka thënë se po përgatitet një ankesë në Këshillin e Pavarur dhe është i bindur se vendimi do të kthehet në favorin e tyre, pasi nuk kanë kryer asnjë shkelje.

Musa shtoi se kryetari i tanishëm i ka ftuar në takim vetëm pasi kishte marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës, pa ditur se kush ishte dhe çfarë pune kryente, çka sipas tij e bën vendimin për shkarkimin të papërshtatshëm.

“Në Këshillin e Pavarur jemi duke përgatitur ankesën për ta dorëzuar dhe jam i bindur se vendimi do të kthehet në favorin tonë, pasi nuk kemi bërë asnjë shkelje, qoftë edhe më të voglën. Nuk e di në çfarë baze është mbështetur kryetari, sepse thuhet se nuk ka vlerësim nga drejtori, ndërkohë që unë kam qenë pa drejtor, pa mbikëqyrës të drejtpërdrejtë dhe pa shef. Kryetari na ka ftuar në takim vetëm pasi kishte marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës. Paramendojeni, ai e kishte marrë vendimin për shkëputjen e kontratës së punës dhe më pas më pyeste si e kam emrin dhe në cilën drejtori punoj. Kjo tregon se ai nuk e ka pasur idenë se kush jam dhe çfarë pune bëj, e jo më të marrë vendim për shkarkimin tim nga puna”- përfundoi ai.

Rasti i ndërprerjes së kontratave të dy zyrtarëve në Komunën e Zveçanit ka ngritur dyshime për shkelje ligjore dhe keqmenaxhim, sipas ish-kryetarit Ilir Peci dhe të larguarit Vedat Musa.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Komunën e Zveçanit për sqarime lidhur me këtë vendim, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë asnjë përgjigje. /Telegrafi/