Martesa e aktores së njohur Halle Berry dhe yllit të bejsbollit David Justice zgjati nga viti 1993 deri në 1997. Pothuajse tre dekada më vonë, Justice në një intervistë të fundit ka vendosur të flasë hapur për arsyet që, sipas tij, çuan në ndarje. Komentet e tij shkaktuan menjëherë reagime të shumta dhe polemika në rrjetet sociale.

Justice nuk e fshehu zhgënjimin nga pritshmëritë që kishte atëherë për bashkëshorten. “Ajo nuk gatuan, nuk pastron, nuk duket aspak si nënë. A është kjo gruaja me të cilën duhet të kesh fëmijë dhe të ndërtosh familje?”, deklaroi ai. Fjalët e tij ndezën një debat të madh në internet, ku shumë përdorues dolën në mbrojtje të aktores së famshme.


Njëri prej tyre shkroi me ironi: “Pra, sipas tij, ai e shkatërroi me vetëdije lidhjen me njërën nga gratë më të bukura dhe më karizmatike të shekullit, vetëm sepse nuk dinte të pastronte pas vetes ose të bënte një sanduiç. Dhe tani duhet të besojmë se kjo është faji i saj?”.

Të tjerë komentuan me sarkazëm: “Doja një grua tipike shtëpiake nga qendra e Amerikës, ndaj u martova me një superyll hollivudian. Pastaj, kur nuk më gatuante drekën, filluan problemet.”

Shumë të tjerë vunë në pikëpyetje vendimin e tij për t’u martuar me të, duke thënë: “Atëherë, pse u martua me të nëse kishte këto pritshmëri? Njerëzit me para nuk bëjnë gjëra të tilla.” Një tjetër shtoi: “Nëse je mbi 18 vjeç, je më shumë se i aftë të gatuash e të pastrosh për veten. Nuk është detyrë e gruas të sigurojë që ti je i ushqyer dhe i pastër. Ti je partneri i saj, jo fëmija i saj”.

Gjatë intervistës, Justice pranoi se perceptimi i tij për martesën ishte ndikuar shumë nga e ëma. “Unë jam djalë nga qendra e Amerikës dhe shikoja nënën time. Mendoja se gruaja duhej të gatuante dhe të pastronte”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se kishte hyrë në martesë me shumë pak përvojë në marrëdhënie. “Isha i ri dhe, sinqerisht, kisha pasur vetëm një lidhje të vërtetë para saj. Njohuria dhe mençuria ime për marrëdhëniet ishin shumë të kufizuara”, shpjegoi.

Justice kujtoi momentin kur në shkurt të vitit 1996 i tha Halle-s se “gjërat nuk po funksiononin më”. Sot ai mendon se gjërat mund të kishin qenë ndryshe. “Sikur të kishim ditur për terapinë në çift, ndoshta do të kishim shpëtuar martesën”, tha ai.

Me kalimin e kohës, ai e kuptoi se Halle e kishte dashur vërtet dhe pranoi se e kishte lënduar shumë me ndarjen. “Tani që jam më i moshuar dhe kthej kokën pas, them me vete: ‘Jo, ajo vërtet më donte’. Imagjinoni të doni dikë dhe ai t’ju thotë se dëshiron të ndahet, pa asnjë fjalë që mund ta rikthente. Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për të”, tha ai.

Ai shtoi se pendohesh edhe për mënyrën se si u shkëput nga martesa. “Kur e lashë, nuk fola më me të. Nuk pati asnjë tërheqje graduale. Mund ta kisha bërë shumë më mirë,” përfundoi ai.

Nga ana tjetër, Halle Berry nuk e mori shumë seriozisht këtë diskutim. Në Instagram, ajo publikoi një postim me humor ku shkruante: “Phew...! Gatimi, pastrimi dhe të qenit nënë”. /Telegrafi/