Redaktorja e Radiotelevizionit të Kosovës, Blerta Foniqi Kabashi, ka fituar rastin lidhur me degradimin e saj në pozitë, pas një ankese të bërë në Inspektoratin e Punës.

Sipas njoftimit që Foniqi-Kabashi bëri publik, ndryshimi i pozitës së saj është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.


Inspektorati ka konstatuar se Blerim Haxhiaj nuk ka pasur mandat për të ushtruar detyrën e U.D. Kryeredaktorit në kohën kur nisi procedurën disiplinore ndaj saj.

Vendimi i Inspektoratit thotë se: “… punëdhënësi, RTK, përkatësisht z. Blerim Haxhiaj me rastin e inicimit të procedurës disiplinore ndaj znj. Blerta Foniqi Kabashi, në pozitën e Redaktores së lajmeve qendrore, nuk ka pasur mandat të bëjë një veprim të tillë pasi mandati i tij ka përfunduar më datën 15.09.2025. Marrja e këtij veprimi është në kundërshtim me Nenin 3 dhe 4 të Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK.”

Si rrjedhojë, Foniqi-Kabashi duhet të kthehet në detyrën e saj si redaktore e lajmeve qendrore në RTK. /Telegrafi/