LAJMI I FUNDIT:

Incidenti me presidenten Osmani, MPJ e RMV-së: Do të ndërmerren masa që në të ardhmen të shmangen situata të tilla

Incidenti me presidenten Osmani, MPJ e RMV-së: Do të ndërmerren masa që në të ardhmen të shmangen situata të tilla

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut u prononcua me qëndrim lidhur me notën protestuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku kërkohet sqarim i plotë lidhur me ngjarjen në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. MPJ e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar informacion nga institucionet kompetente dhe pas analizimit të të dhënave të mbledhura, do të ndërmarrë masa, me qëllim që, siç njoftoi, të shmangen situata të tilla në të ardhmen.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim bilateral pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të vazhdueshëm të sinqertë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen për mosmarrëveshjet që ndodhën gjatë vizitës së djeshme të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Prej aty thonë se nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, lidhur me ngjarjen e djeshme tashmë janë kërkuar informata nga të gjitha institucionet kompetente.


“Pasi të bëhet analizë adekuate e të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim themelor që në të ardhmen të shmangen dukuritë dhe situatat e tilla apo të ngjashme”, qëndron në reagimin e Ministrisë.

MPB e Maqedonisë së Veriut të enjten në mbrëmje kumtoi se sigurimi i kryeparlamentarit Afrim Gashi “ka kërcënuar punonjësit e TAV-it, të cilët kanë kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që ta lë telefonin e saj për të kaluar në skaner, kur ka kaluar në kontrollin kufitar në Aeroportoin ndërkombëtar të Shkupit”.

Siç njoftoi MPB, “derisa presidentja e Kosovës ka kaluar kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua të kalonte celularin e saj në skaner, një person nga sigurimi i saj ka tërhequr një nga punonjësit e TAV, me qëllim që ajo të kalojë pa celular dhe bagazh dore të skanuar”. Por më vonë, megjithatë, bagazhi u kthye dhe kaloi përmes skanerit.

“Pas gjysmë ore, ka ardhur një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit (nëpunës policor) me edhe dy persona (nëpunës policorë) dhe ka filluar të kanoset ndaj të punësuarve në TAV dhe të kërkojë se kush i ka bë problem presidentes. Me këtë rast, ai ka shtyrë edhe një nëpunës policor të punësuar në vendkalimin kufitar”, njoftoi MPJ, duke shtuar se menjëherë “është informuar Sektori për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale dhe në koordinim me PTHP për NKOK, po ndërmerren masa për ndriçimin e rastit, pas çka do të ngriten parashtresa adekuate”.

Nga TAV Maqedoni njoftuan se “reparti i sigurimit i TAV Maqedoni ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta dhe ka bërë kontroll standard të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe bagazhit të saj në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin e VIP-ave, me çka aspak nuk është rrezikuar siguria e aviacionit dhe siguria e udhëtarëve”. Prej aty, kategorikisht i hedhin poshtë pretendimet se “punonjësi i tyre nga reparti i sigurimit ka tentuar t’ia marrë celularin presidentes së Kosovës gjatë kontrollit në VIP sallonin të Aeroportit ndërkombëtar të Shkupit”.

Kabineti e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, të enjten përmes një komunikate ka mohuar përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin në aeroportin e Shkupit, njoftojnë disa media. Gashi, megjithatë, dje në deklaratë për media tha se ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, për të parandaluar një incident diplomatik dhe mendon se gjithçka përfundoi ashtu siç duhej. Ai thotë se nëse dikush e ka tejkaluar autorizimet e tij, me siguri do të mbajë përgjegjësi.

Presidenca e Republikës së Kosovës dje përmes kumtesës ka shprehur zhgënjmimin për deklaratat e papranueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës, pas incidentit me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit. Në njoftimin me rastin e incidentit, thuhet se Osmani ka refuzuar vetëm ta japë për skanim celularin e saj, të cilin e përdor si presidente e shtetit për komunikime zyrtare dhe për çështje të sigurisë kombëtare.

Në trend Lajme

Më shumë
Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje

Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje

Drejtësi
Trendafilova: Nuk mendoj që SHBA-të do të përfshihen në Gjykatën Speciale

Trendafilova: Nuk mendoj që SHBA-të do të përfshihen në Gjykatën Speciale

Drejtësi
Trendafilova: Rastin Thaçi dhe të tjerët Prokuroria e përfundon në prill të vitit 2025

Trendafilova: Rastin Thaçi dhe të tjerët Prokuroria e përfundon në prill të vitit 2025

Drejtësi
Pasardhës të heronjve të Kosovës: Dorent, Betim dhe Edon Berisha në shërbim të atdheut

Pasardhës të heronjve të Kosovës: Dorent, Betim dhe Edon Berisha në shërbim të atdheut

Lajme
Sonte tërmet në Maqedoni

Sonte tërmet në Maqedoni

Lajme
​“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin

​“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin

Lajme
Kalo në kategori