Ina Rama: Luftë krimit e korrupsionit

Kryeprokurorja Ina Rama e theksoi këtë vizion gjatë takimit të prokurorëve të Prokurorisë Shqiptare, i mbledhur për zgjedhjen e Këshillit të ri të Prokurorëve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në fjalën e saj kryeprokurorja vlerësoi punën e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve, të cilëve u ka mbaruar mandati.
Rama vuri në dukje angazhimin e lavdërueshëm të anëtarëve të këtij Këshilli dhe ndjenjën e përgjegjshmërisë në ndjekjen e gjithë problematikës së punës së prokurorisë gjatë kësaj periudhe.
Sipas Ramës në funksionin e vet këshillimor, Këshilli i Prokurorëve ka kaluar në shqyrtim të gjitha urdhrat, udhëzimet dhe qarkoret me udhëzim të brendshëm.
Në këtë kontekst, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, ritheksoi problematikat që hasen në ushtrimin e detyrës së prokurorëve në zbatim të ligjit.
“Duhet të vlerësoj punën dhe rezultatet e arritura të trupës së prokurorëve gjatë vitit të kaluar. Kemi arritur rezultate pozitive, por jemi të ndërgjegjshëm se jo të gjitha prokuroritë e rretheve, apo sektorë të ndryshëm, kanë të njëjtin ritëm dhe të njëjtin angazhim në përmbushjen e detyrave të tyre. Është detyrë e prokurorëve si dhe e drejtuesve, në rritjen e mëtejshme të përgjegjësisë në detyrë, në një angazhim më të madh në përmbushjen e detyrave që na ngarkon ligji, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe fenomeneve të tjera shqetësuese të shoqërisë”, u shpreh kryeprokurorja Ina Rama.
Pas procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve për në Këshillin e Prokurorëve dhe votimit të tyre, trupa e prokurorëve përzgjodhi gjashtë anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorisë Shqiptare. /Telegrafi/





















































