Ilirana Gjoni, kërkuese dhe analiste në Carnegie Europe, njëherësh pianiste, ka moderuar panelin "Zgjerimi i BE-së nga perspektiva e qytetarëve", në kuadër të diskutimeve për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Me përvojën e saj të dyfishtë në fushën e kërkimit dhe artit, Gjoni tha se ishte ftuar të drejtonte panelin pikërisht sepse mund të sillte dimensionin personal dhe tregimet njerëzore në një temë që shpesh shihet si tepër teknike.

Ajo theksoi se procesi i zgjerimit nuk duhet parë vetëm si çështje gjeostrategjie: “Me këtë panel po e zhvendosim debatin nga teknikalitetet drejt asaj që zgjerimi do të thotë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë.”


Gjoni nuk la pa përmendur Kosovën, duke rikujtuar se shpesh flitet për vendet kandidate, por harrohet vendi ende në pritje të marrjes së statusit të kandidatit.

Ajo solli si shembull sukseset e artistëve kosovarë, duke përmendur faktin se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë javë kishte përzgjedhur këngën e Dua Lipës “Levitating” në listën e saj zyrtare në Spotify.

“Pra, jemi në mendjen e saj,” tha Gjoni.

Në hapje të panelit, ajo solli edhe historinë e saj personale si një dëshmi e rrugëtimit evropian: nga jeta si pianiste dhe mësuese muzike në Mynih, tek sfidat e integrimit dhe mungesa e mundësive që sot u ofrohen gjeneratave të reja përmes programeve si Erasmus.

“Kur erdha në Bruksel në vitin 2019 për të punuar me çështjet e zgjerimit, pa asgjë të siguruar, ishte një hap i rrezikshëm, por i domosdoshëm. Në Bruksel atëherë flitej pak për zgjerimin, por ne në Ballkan asnjëherë nuk ndaluam së foluri për të. Për ne, BE-ja ka qenë gjithmonë destinacioni i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit,” theksoi ajo.

Gjoni, e cila aktualisht udhëheq debatin mbi zgjerimin e BE-së në Komisionin Evropian nga perspektiva e qytetarëve, tha se pikërisht këto histori përbëjnë pulsin e vërtetë të procesit të zgjerimit./Telegrafi/