Ia rrënuan objektin, qytetari nga Fushë-Kosova falënderon komunën që për 25 vjet e lejoi të shfrytëzonte pronën publike

Në Fushë Kosovë ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike.
Drejtori i Inspektoratit në Fushë Kosovë, Donat Zharku, ka konfirmuar për Telegrafin se po vazhdojnë me lirimin e këtyre hapësirave.
“Drejtoria për Inspektorat është duke vazhduar me zbatimin e urdhëresës për lirimin e hapësirave publike në rrugën “Hajrualla Zymi”. Qëllimi i këtij aksioni është të rikthejë në funksion publik trotuaret, sheshet, rrugët dhe të gjitha hapësirat e përbashkëta, të cilat janë të destinuara për përdorim të lirë nga qytetarët”, theksoi ai.
E, një qytetar nga Fushë Kosova që është prekur nga ky aksion, ka falënderuar komunën që për 25 vite e kanë lejuar të shfrytëzojnë pronën publike. Ai po ashtu ka publikuar fotografitë ku i është rrënuar objekti.
"Nga zemra, falënderojmë Komunën e Fushë-Kosovës që për 25 vite na dha mundësinë të shfrytëzojmë këtë pronë publike, e cila për familjen tonë ishte më shumë se një vend pune – ishte burimi i vetëm i jetesës, forca që na mbajti të bashkuar dhe na dha dinjitet. Mirënjohja jonë është e thellë dhe e sinqertë për çdo vit të atij bashkëpunimi. Me shumë respekt dhe falënderim", ka pohuar ai. /Telegrafi/






















































