I caktohet masa e arrestit shtëpiak Lupço Pecovit, i dyshuar në rastin "Zinxhiri"

Gjatë ditës së djeshme, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, para gjyqtarit të procedurës paraprake u paraqit Lj.P., ndaj të cilit më parë ishte caktuar masa e paraburgimit me vendim të gjykatës për kapjen dhe privimin nga liria, me vendim KOK PP 439/23 në rastin e njohur për publikun si “Zinxhiri”.
Nga Gjykata Penale njoftojnë se gjyqtari i procedurës paraprake me propozimin e Prokurorisë Publike, të akuzuarit i caktoi masa arresti shtëpiak dhe mbikëqyrje të detyrueshme, ndërsa i janë marrë të dy dokumentet e udhëtimit. Kundër vendimit të gjyqtarit, është i lejueshëm e drejta e ankimimit para Këshillit Penal.
“Duke qenë se i njëjti vullnetarisht u paraqit tek organet e ndjekjes, dhe mbrojtja e tij ka dorëzuar dokumentacion mjekësor sipas të cilit gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, prokurori kompetent, përveç gjendjes shëndetësore, vlerësoi se me vendosjen e të akuzuarit në departamentin e paraburgimit nuk mund të garantohej siguria e tij personale. Në procesverbal para gjykatës, në vend të masës së paraburgimit, prokurori propozoi që të akuzuarit t’i caktohej masa e arrestit shtëpiak dhe mbikëqyrje 24-orëshe nga MPB, me të cilën mund të sigurohet prezenca e tij në pjesën tjetër të procedurës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sqaruan se i dyshuari ishte i sëmurë dhe siguria e tij në paraburgim në "Shutkë" nuk mund të garantohej.
Ndryshe, të shtunën, avokati i "Djallit", Fehmi Stafa, u arrestua për ryshfet prej 20,000 eurosh, të cilat dyshohet se do t'ia jepte një gjyqtari të Gjykatës së Apelit, me qëllim që ta ndikonte atë që të hiqte paraburgimin e klientit të tij. Megjithatë, rreth dhjetë ditë më parë, tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit e hodhën poshtë këtë kërkesë, megjithëse Pecov ofroi garanci prej një milion euro.









































