Hoteli më i vjetër dhe ndoshta "më i pushtuari nga fantazmat" në Las Vegas organizon konkurs pikërisht në kohën e sezonit të frikshëm

Adhuruesit e emocioneve të forta që janë të gatshëm për këtë sfidë do të kenë mundësinë të aplikojnë për të kaluar një fundjavë brenda Hotel & Casino El Cortez duke gjuajtur fantazma - me shpresën për të fituar një çmim prej 5,000 dollarësh.
Vetëm një shpirt me fat do të zgjidhet për të marrë pjesë. El Cortez legjendar, kazinoja hotel me funksionimin më të gjatë në Vegas, ndodhet në rrugën Fremont, e cila shpesh quhet "Vegasi i Vjetër".
Ky hotel i vjetër - dhe shumë të tjerë në Fremont - kanë parë gjithçka që kur hapi dyert e tij për herë të parë në vitin 1941: gangsterë, vrasje dhe madje edhe aktivitete paranormale.
Në një hotel që është 84-vjeçar - është pothuajse e pritshme që mysafirët të shohin dhe dëgjojnë disa gjëra të frikshme, si hapa fantazmash dhe figura në hije.
"Po ju dërgojmë të hetoni, të pajisur plotësisht me pajisje gjuetie fantazmash, për të parë nëse historitë janë të vërteta”, thuhej në listën e konkursit nga Casino.org.
"Gjuetari i fantazmave i zgjedhur do të regjistrohet në El Cortez për një qëndrim fundjave plot fantazma, ku do të eksploroni cepat më të vjetër dhe më të frikshëm të kazinosë, duke kërkuar shenja të aktivitetit fantazmash", u tha ndër tjera.
I zgjedhuri do të ngarkohet me detyrën e ecjes nëpër korridoret e hotelit, dyshemenë e kazinosë dhe çdo zonë tjetër që mendohet se është e pushtuar nga fantazmat duke përdorur pajisje gjuetie fantazmash, siç janë matësat e EMF, regjistruesit EVP dhe sensorët termikë për të zbuluar aktivitet të pazakontë - natën.
Konkursi i gjuetisë fantazmave zhvillohet nga 6 tetori deri më 31 tetor, dhe udhëtimi pritet të zhvillohet në fillim të dhjetorit.
Nëse gjendet diçka e frikshme, gjuetari i fantazmave do të pritet të bëjë foto dhe video për prova dhe të shkruajë një raport të shkurtër të gjetjeve më të frikshme, më qesharake ose misterioze. /Telegrafi/

















































