LAJMI I FUNDIT:

Historia e ndërlikuar e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi

Historia e ndërlikuar e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi

Ndalimi i produkteve shqiptare nga Rusia është vetëm një pjesë e vogël e mozaikut të komplikuar në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës. Mjaftojnë të kujtojmë romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, për të konkluduar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë i kanë ngjarë stinëve të motit. Herë dimër me acar e herë verë të ngrohtë e të nxehtë.

Fillimi i marrëdhënieve zyrtare me Rusinë

Gjithçka nis atë verë të largët të vitit 1945 kur një personazh i diplomuar në Harvard me emrin Koço Tashko emërohet ambasador në Moskë. Komunizmi kishte pushtuar gjysmën e botës dhe Shqipëria e vogël ishte lyer për herë të parë në historinë e saj e tëra me të kuqe. Rusia ishte aleati i madh, kishte fituar luftën e Dytë Botërore, por njëkohësisht kishte instaluar komunizmin.

Në fakt, ndonëse viti 1945 ishte viti i parë i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ky nuk ishte kontakti i parë diplomatik dhe politike mes dy shteteve. Fan Noli, një nga personazhet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, kryeministër dhe kryepeshkop, kishte qenë me vizitë në Moskë në një nga konventat politike. A ishte apo jo Noli bolshevik këtë nuk mund ta themi, por kontaktet që ai vuri me Rusinë në atë kohë ishin të tilla që më pas kishte dyshime. Madje, Ali Kelmendi nga Kosova ishte ai që solli i pari idetë komuniste nga Bashkimi Sovjetik dhe që më pas iu transferuan Enver Hoxhës.


Stinët e marrëdhënieve Rusi-Shqipëri

Era e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Shqipërisë frynte çuditërisht veçse sipas stinës. I pari lajmëtar ishte po ambasadori i parë i Shqipërisë: Koço Tashko, një personazh shumë i njohur dhe intelektual i zoti, u shpall armik pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ishte po ky ambasador që nxiti dhe organizoi vizitat respektive të delegacioneve mes dy shteteve: katër vizitat e Enver Hoxhës në Moskë dhe takimet me Stalinin, e edhe vizitat me politikanë rusë që kulmin e patën me Nikita Hrushovin.

Thyerja e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës nisi me vdekjen e Stalinit. Ardhja e Nikita Hrushovit në drejtimin e Bashkimit Sovjetik, solli edhe një erë të re marrëdhëniesh në bllokun lindor. Kritikat që Hrushovi i bëri Stalinit dhe hapja e tij me Perëndimin nuk i pëlqeu aspak Enver Hoxhës. E, megjithëse Shqipëria ishte një shtet tepër i vogël në krahasim me Rusinë, Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë nuk hezitoi ta kritikonte ashpër politikën e Hrushovit, kritikë kjo që tronditi botën komuniste dhe që bëri që BS-ja ta shpallte Shqipërinë “non grata”. Që pas vitit 1961, këto dy vende ngrinë marrëdhëniet duke mos pasur më asnjë lloj pikë kontakti.

Rifillimi i marrëdhënieve

Marrëdhëniet diplomatike me Rusinë nisën vetëm në vitin 1991, kur bota komuniste ishte në grahmat e fundit të jetës. Më 1991 Shqipëria lidh marrëdhëniet diplomatike me Moskën duke çuar ambasador atje Pertef Hasamatajn. Por, në ndryshim nga periudha e kohës komuniste, marrëdhëniet janë në nivele të dorës së dytë. Që nga viti 1991 e deri tani Shqipërinë nuk e ka vizituar asnjë personalitet i lartë rus.

Të dhëna dhe kuriozitete

1913

Historiani i njohur rus Pjetër Iskenderov, në një studim të tij ka nxjerrë një fakt interesant rreth marrëdhënieve Rusi-Shqipëri. Sipas tij, Rusia cariste ishte ndër vendet kryesore që mbrojti kufijtë shqiptarë në vitin 1913. Madje, po sipas tij ishte Rusia ajo që ndaloi Serbinë mos ta pushtonte Shqipërinë gjatë këtyre viteve.

Nëntor 1927

Me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit, ne Moskë u organizua një Kongres i miqve të BS-së. Fan Noli, një nga personazhet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, kryeministër dhe kryepeshkop, mori pjese në ketë Kongres si anëtar i delegacionit që përfaqësonte popujt e Ballkanit, një veprim që ndonëse nuk është bërë shumë publik cilësohet anë jo shumë e qartë në aktivitetin e tij.

1930

Mendohet se është Ali Kelmendi ai cili solli për herë të parë në Shqipëri idetë komuniste ruse. Në vitet ’30, pas disa viteve emigracion në Rusi, Kelmendi vjen në Shqipëri duke sjellë me vete edhe idetë bolshevike. Kelmendi cilësohet si njeriu që në një mënyrë jozyrtare bëri lidhjet e para me Bashkimin Sovjetik.

1945

Fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945 nisin marrëdhëniet zyrtare dhe diplomatike me Rusinë. Ambasadori i parë në Bashkimin Sovjetik të pasluftës ka qenë Koço Tashko, i diplomuar në Harvard. Ai ishte një nga drejtuesit e Partisë Komuniste dhe u vendos në këtë post për shkak të rëndësisë që kishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.

1948

Vetëm pas vitit 1948 marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës bëhen më kulminante. Kjo erdhi si rrjedhojë e prishjes së Stalinit me udhëheqësin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Bashkimit Sovjetik i duhej Shqipëria si fqinje e Beogradit, për t’ia kundërvënë serbëve.

1947

Në vitin 1947, Enver Hoxha zhvillon vizitën e parë në Rusi. Gjatë kësaj vizite ai u takua edhe Stalinin. Pas kësaj vizite marrëdhëniet me Moskën shkuan drejt përforcimit. Duke filluar nga viti 1947, Hoxha u takua pesë herë me Stalinin.

1953

Pas vdekjes së Stalinit, marrëdhëniet mes Moskës dhe Tiranës po shkonin drejt ftohjes. Këtu ndikoi era e re e politikës për një bashkëpunim të ri me Perëndimin që solli Nikita Hrushovi e edhe sulmi që Hrushovi i bëri Stalinit si diktator.

28 mars 1955

Shqipëria aderoi edhe në Traktatin e Varshavës, organizatë ushtarake që u krijua nga Rusia ku bënin pjesë vendet komuniste të Evropës lindore për t’iu kundërvënë NATO-s. Nga kjo organizatë Shqipëria doli pas prishjes së marrëdhënieve me Rusinë.

1959

Në maj të vitit 1959, Hrushovi bëri një vizitë në Shqipëri. Por, pavarësisht vizitës, u duk që marrëdhëniet nuk ishin në nivelin e dikurshëm, e shkak për këtë ishte bërë edhe qëndrimi që PK e BS-së mbante ndaj Jugosllavisë me të cilën Shqipëria ishte ndarë që në vitin 1948.

Nëntor 1960

Ky muaj shënon fundin e marrëdhënieve Moskë-Tiranë. Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste e Punëtore të Botës kritikon rëndë politikën e ndjekur nga Hrushovi. Këto kritika sollën një tronditje në unitetin komunist që nuk u përtypën lehtë nga Bashkimi Sovjetik.

1961

Ishte viti 1961 kur Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me aleatin e saj më të madh, Bashkimin Sovjetik Për 30 vjet me radhë, nuk kishte bashkëpunim të përbashkët.

Traktati i Varshavës

Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike dhe daljes së vendit nga pakti i Varshavës, Bashkimi Sovjetik e kërcënoi disa herë vendin për një sulm nga ana e saj. Por, gjeopolitika e kohës dhe forcimi i marrëdhënieve me Kinën bëri që kërcënimet të mbeteshin vetëm në deklarata.

Nëndetësja 105

Marrëdhëniet e mira me Rusinë bënë që Ushtria ruse të dislokojnë në bazën detare të Pasha Limanit në Vlorë një skuadrilje nëndetëses. Pas prishjes së marrëdhënieve, rusët tërhoqën armatimet, por disa prej tyre u mbajtën nga pala shqiptare, siç ishte nëndetësja 105. Rusët protestuan për këtë vendim të palës shqiptare. Historia e nëndetëses u bë e famshme edhe nga filmi “Ballë për ballë”

1991

Marrëdhëniet diplomatike rinisën. Pertef Hasamataj ishte njeriu që do të emërohej në krye të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Moskë, pas gati 30 vjet ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike.

1991-2015

Gjatë këtyre 24 viteve asnjë personalitet i lartë rus nuk e ka vizituar vendin tonë. /TO/Telegrafi/