Formimi i lëvizjes Sioniste në fund të shekullit XIX ishte rezultat i erërave nacionaliste që filluan të fryjnë në gjithë Evropën. Lëvizja kërkonte një atdhe për popullsinë e shpërndarë hebrenje, e larguar nga Palestina që në vitin ‘70 p.e.s. si pasojë e persekutimit romak. Fillimi i lëvizjes lidhet me emrin e Theodor Herzl, një gazetar vjenez, që në vitin 1896 shkroi librin e tij “Shteti hebre”, ku bëhej thirrje për krijimin e një shteti kombëtar hebre si zgjidhje e problemit të diasporës dhe të antisemitizmit. Një vit me vonë në Bazel u mblodh Kongresi Botëror i sionistëve që mblodhi në një lëvizje të vetme grupet e ndryshme. Në kongresin e vitit 1903 u shpall çarja e parë mes sionistëve pas debatit nëse atdheu i hebrenjve duhet të ishte Palestina apo Uganda në Afrikë (një propozim ky i Britanisë që u mbështet vetëm nga një pakicë e delegatëve).
Mes lëvizjes sioniste nisi reagimi i arabëve që panë rrezikun e spostimit të tyre prej Palestinës. Presionet arabe bënë që britaniket të kërkojnë kufizimin e imigracionit hebre, por kolonët vazhduan të mbërrijnë në Palestinë, duke parë se qëllimi i tyre për një shtet ishte shumë pranë, si edhe të trembur nga rreziku nazist. Arabët ndërkohë ashpërsuan reagimet e tyre dhe midis dy grupeve filluan përleshjet e armatosura që vazhduan gjatë gjithë Luftës Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.
Pas shumë tentativash për arritjen e një zgjidhjeje, Britania, e zhgënjyer, vendosi të heqë dorë nga administrimi i zonës dhe ia dorëzoi mandatin e saj OKB-së se sapo krijuar. Britania u tërhoq nga Palestina në vitin 1947, ndërkohë që hebrenjtë dhe arabët ishin përgatitur për luftë mes tyre.
OKB propozoi një ndarje të Palestinës në dy shtete të pavarura, njëri hebre dhe tjetri arab palestinez, ndërsa Jerusalemi do të ishte nën administrimin ndërkombëtar. Kufijtë u vendosën mbi baza thjesht demografike, pa pasur parasysh kriteret e sigurisë për ruajtjen e kufijve, forma e të dy shteteve duket mjaft e çuditshme në hartë. Arabët e hedhin poshtë planin e OKB-së, ndërsa hebrenjtë shpallin menjëherë krijimin e shtetit te tyre, të quajtur Izrael, në 14 maj 1948 në Tel-Aviv. Lufta filloi menjëherë, pesë shtete arabe (Libani, Siria, Egjipti, Jordania dhe Iraku) sulmuan Izraelin, ndërkohë që gjysma e popullsisë arabe palestineze u detyrua të shpërngulet nga luftimet. Gjatë kësaj lufte Izraeli pushtoi 77 për qind të territorit të Palestinës, si edhe pjesën më të madhe të Jerusalemit, duke kaluar kufijtë e vendosur nga OKB, ndërsa Egjipti dhe Jordania pushtuan pjesën e mbetur te vendit (përkatësisht Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor). Lufta e 1948-es shënoi vetëm fillimin e një vargu të gjatë e të përgjakshëm luftërash mes Izraelit dhe shteteve arabe.
Më 1949 Izraeli lejoi kthimin e 150 mijë prej arabëve të larguar, kryesisht për bashkimin e familjeve, pas presioneve ndërkombëtare. Ndërkohë, më 1950 shpallet Ligji i kthimit që jepte nënshtetësi automatike për gjithë imigrantët hebrenj që vendoseshin në Izrael nga e gjithë bota.
Ndërkohë, acarimi vazhdon të jetë i lartë, sidomos në Rripin e Gazës. Në mesin e viteve ’50 të shekullit të kaluar, presidenti Naser i Egjiptit vendos nacionalizimin e Kanalit të Suezit, që shkakton tërbimin e Britanisë dhe Francës, zotëruese historike të Kanalit. Në 1956 Izraeli sulmon Egjiptin dhe pushton Rripin e Gazës dhe gadishullin Sinai, ndërkohë që Franca dhe Britania pushtojnë Kanalin e Suezit. Kërcënimet e ashpra të Bashkimit Sovjetik (që ndërkohë po shtypte revoltën e Hungarisë) dhe frika e SHBA-ve për hapjen e një konflikti te zgjeruar në kulmin e Luftës së Ftohtë, bëjnë që lufta të ndërpritet dhe trupat e tri fuqive pushtuese tërhiqen duke i lënë territoret e okupuara nën kontrollin e OKB-së.
Vetëm 10 vjet më vonë, më 1967, lufta ndizet serish. Egjipti mobilizon forcat ushtarake në Sinaj dhe trupat e OKB-së largohen nga gadishulli, ndërkohë që Izraelit i bllokohet dalja në Detin e Kuq. Izraeli sulmon Egjiptin dhe Sirinë (këtë të fundit sepse nga territori i saj, në lartësitë e Golanit kryheshin sulme të vazhdueshme ndaj ngulimeve hebrenje). Jordania menjëherë sulmon Izraelin. Lufta hyri në histori me emrin “lufta e gjashtë ditëve”, brenda kësaj kohe të shkurtër Izraeli pushtoi Rripin e Gazës dhe gadishullin Sinai (të mbajtura nga Egjipti), lartësinë Golan të Sirisë dhe Bregun Perëndimor e Jerusalemin lindor nga Jordania. Lufta e gjashtë ditëve tronditi thellë botën arabe dhe shënoi acarimin e parë të madh të saj me Perëndimin që mbështeti Izraelin. Gjatë kësaj lufte të shkurtër, por shumë të ashpër, ndodhi eksodi i dytë i madh i palestinezëve, rreth gjysmë milion banorë u detyruan të largohen nga vendi.
Izraeli, shteti nga i cili bota ka kthyer sytë, ka një histori e cila, në fillesat e saj lidhet me Shqipërinë: një shqiptar që donte të ndalonte formimin e këtij shteti.
Në fillim të shekullit XX apo në vitin 1900, shqiptarët kishin zënë ngado vende të rëndësishme në jetën politike dhe administratën osmanë. Libri i kujtimeve të Eqrem bej Vlorës, jep një panoramë të hollësishme të jetës shqiptare gjatë viteve 1885-1912. Ky libër për herë të parë është botuar nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindorë në Munih të Gjermanisë, në vitin 1973. Telegrafi ju sjell më poshtë disa pjesë të saj, përkitazi me fillet e Izraelit të sotëm.
Në vjeshtën e vitit 1904, Eqrem bej Vlora – i cili në atë kohë jetonte në Turqi së bashku me një komision qeveritar – u nis për të përuruar hekurudhën e Hexhazit. Një udhëtim i gjatë e plot të papritura për shqiptarin, i cili edhe ndiqte Juridikun, por edhe punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Gjatë udhëtimit, Eqrem Bej Vlorës i bëri përshtypje të madhe sistemimi i shqiptarëve në poste të rëndësishme.
“Në Rodos na bëri një vizitë guvernatori i përgjithshëm i ishujve të Egjeut, valiu Abedin pashë Dino, një shqiptar nga Çamëria. Ishte diçka e habitëshme”, kujton Eqrem bej Vlora, ndërsa udhëton drejt Rodosit për në Bejrut, ku edhe aty i kishin bërë përshtypje shqiptarët drejtues.
Pas përurimit të hekurudhës së Hexhazit, anija më të cilën udhëtonte Eqrem bej Vlora po udhëtonte drejt Jafës, por, siç kujton dëshmitari, anija e tyre kishte edhe një mision për të kryer, madje mision të fshehtë. Sipas Eqremit, shefi i tij kishte porosi të mblidhte të dhëna informative rreth “Jewish Research Mission” të sapongritur në Tel-Aviv – çështje kjo që i interesonte shumë autoriteteve turke.
“Më kujtohet mirë sesi në dhjetor të vitit 1903 unë u ndodha rastësisht në pallatin e Vezirit të madh të atëhershëm, Ferit pashë Vlorës. Ai na tregoi se pasdite do të priste Baron Rotçildin (Rothschild) nga Parisi. Më vonë mësuam se ai kishte kërkuar marrjen në koncesion, për 99 vjet, të 20.000 hektarëve tokë (duna rëre) në Tel-Aviv, për të cilën ai ishte gati të paguante Qeverisë një qira mjaft të lartë”, kujton në librin e tij Eqrem bej Vlora, duke shtuar se Veziri i madh nuk pranoi në asnjë mënyrë të ndihmonte në këtë marrëveshje.
Me gjithë përpjekjet e Vezirit shqiptar, Rotçildi arriti të marrë drejtpërdrejt nga Sulltani (Abdul Hamid i II-të) lejen për të krijuar në Tel-Aviv një “Komision studimor” dhe ishte ky komisioni, për të cilin anija me të cilën udhëtonte Eqrem bej Vlora, ndaloi për të marrë informacion.
“Në plazhin e Tel-Avivit ishin ndërtuar dy shtëpi të vogla, fare të thjeshta ku punonin pesë agjentë – nëpunës të Kongresit Botëror Çifut, dhe mblidhnin të dhëna për kushtet ekonomike të arabëve në Palestinë”, shkruan Eqrem bej Vlora.
Eqremi shënon se ky komision kishte punuar mirë. Kjo dukej dhe këtë e provonte mënyra e shkathët dhe e zgjuar me të cilën në çastin e përshtatshëm çifutët ua merrnin pronësinë arabëve të paditur dhe të shpërndarë.
Në plotësimet që Eqrem bej Vlora i bën këtij problemi, ai e sheh këtë situatë të krijuar si shumë të favorshme për lindjen e konflikteve dhe akteve të dhunës. Ai nuk fajëson çifutët për këtë, por atyre që ua treguan rrugën dhe ua sheshuan zionistëve rrugën për në Palestinë, pra anglezëve.
Sipas bej Vlorës, kur ky mision filloi t’i kapërcejë caqet e parashikuara jo vetëm nuk i shërbeu, përkundër i dëmtoi interesat britanike. E, si pasojë e kësaj, politika angleze filloi të punojë vërtet në mënyrë aktive kundër ngulitjes masive të çifutëve në Palestinë, po ishte shumë vonë: lumi i imigrimit çifut nuk mund të përmbahej dot.
“Sot ai ka marrë një hov të paparë, ka arritur edhe rezultate të mahnitshme, por shteti artificial i Izraelit që ai ka krijuar, fshehur në vetvete farën e trazirave të ardhshme. Kjo sepse për popujt arabë do të mbetet përherë e papërfytyrueshme të pranojë në heshtje, që një pykë çifute të ndajë më dysh botën arabe”, ishte opinioni i Eqrem bej Vlorës një shekull më parë, ku me situatën e krijuar priteshin luftëra të egra, ato që sot kanë bërë të tundet një botë e tërë.
“Në jemi ngopur me problemet etnike të maqedonasve, grekëve, armenëve dhe nuk kemi asnjë leverdi që tash të arnojmë një problem etnik arabo-çifut. Palestina ka qenë dikur çifute, por që nga koha e Solomonit të madh e Davidit të vogël kanë kaluar mijëra vjet. Me të drejtë apo pa të drejtë, sot ajo është 100 për qind arabe dhe Perandoria Osmanë nuk ka arsye, qoftë politike qoftë sentimentale, ta ndryshojë këtë gjendje”, ka thënë Veziri shqiptar që nuk kishte mundësi të frenonte dhënien e tokave me koncesion, apo fluksin e çifutëve që nisën të zinin vend rreth Izraelit, sepse Sulltani i kishte bërë ndërkohë pazaret e mëdha. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme