Intervistë me Agron Shalën, për revistën për kulturë dhe art, “Hejza”
Intervistoi: Zyrafete Shala
Agron Shala është autor i librave “Andrra ne beze”, “Korça sipas një kosovari”, “Dekalogu – nga Moisiu deri te Kieslowski” dhe “1981- vidhe këtë liber”. Ka përkthyer tre libra dhe ka tre albume muzikore – “Zerokoha”, “Dy” dhe “Sot nuk dua të vdes”. Ka bërë po ashtu muzikën për mbi 50 shfaqje teatri, koreodramë, filma te animuar, dokumentarë, filma te metrazhit te shkurte. Momentalisht është duke e finalizuar albumin konceptual “Bardhezi”. Intervistoi: Zyrafete Shala
● Kohë më parë doli na shtypi dhe u përurua libri juaj i fundit “1981 – vidhe këtë libër”, pse ky titull, pse 1981 dhe pse ‘të vidhet’?
Me 2 prillin e vitit 1981 ndërlidhet momenti më i vjetër që mbaj mend. Para meje kalonin tanket e ish-APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë). Pamje jo e mirë për një fëmijë për ta pasur si kujtim të parë të jetës. Sidoqoftë, nga ajo ditë lindi kujtesa ime. Meqë jemi produkte edhe të kujtesës, ai moment nuk mund të largohet pa pasoja. Me të lindi frika, por edhe dëshira për liri. Me të lindi edhe ballafaqimi me realitetin, sepse në shkollë na mësonin historinë që binte ndesh me gjërat që dëgjoja në shtëpi. Si fëmijë njeriu shtron shumë pyetje, sidomos kur është mes këtyre dy të vërtetave. Por, njëra e vërtetë, ajo që dëgjoja në shtëpi, duhej të mbahej fshehtë. E, në anën tjetër, në shkollë detyroheshim ta proklamonim të vërtetën tjetër të regjimit që ishte mashtrim i madh. Na flisnin për ideologjinë e vëllazërim-bashkimit, për barazinë, mirëpo ajo barazi ishte oruelliane, sepse dikush ishte më i barabartë se ne. Nga nxënësit serbë ne fyheshim, sulmoheshim, dhe kur ne mbroheshim dhe e nxirrnim hakun, i vuanim pasojat nga menaxhmenti i shkollës. Pra, te shumica mbizotëronte frika për ta thënë të vërtetën dhe për ta mbrojtur të drejtën. Ndaj, “1981”-shi në titull ndërlidhet me kujtimin tim dhe me dëshirën për ta njohur realitetin. Tash së voni e pash filmin “Argjentina, 1985”, ku viti 1985 simbolizon instalimin e demokracisë dhe dënimin e krimeve të juntës ushtarake. Por, për mua 1981 paraqet vitin kur kërkoj përgjigje. Sa i përket pjesës tjetër të titullit, ka të bëjë me faktin se nuk dëshiroja që dikush të mendoj se i gjithë libri ndërlidhet me ngjarjet e demonstratave të vitit 1981. Pjesa “vidhe këtë libër” është marrë nga titulli i një libri të autorit Abbie Hoffman, që ka thënë se ideologjia është sëmundje mendore. Hoffman ishte aktivist i lëvizjes jipi. Në vitet 1960 në ShBA dhe në Angli fillon një lëvizje e të rinjve rebelë, e hipikëve, që me rokënrol dhe mesazhe të paqes synonin ndryshimin, mbi të gjitha barazimin e individit me institucionin. Jipit ishin më radikalë, sidomos në luftën për fjalën e lirë. Të dy grupet, ndonëse jo jetëgjata, edhe sot frymojnë dhe botën e kanë bërë më të mirë. Sidoqoftë, meqë jam rritur me rokënrol, mendova se është mirë të ndërlidhi diçka me rebelimin e dikurshëm amerikan. Po ashtu, edhe Hoffman që lindi më 1936, ka thënë se në aspektin psikologjik ka lindur më 1960. Ndërsa, te vepra “Vidhe këtë libër” [Steal This Book] ai thotë se nëse nuk të pëlqejnë lajmet, atëherë dil ti jashtë e bëj lajmet tua. Dhe, kjo thënie, analizuar në realitetin e sotëm, na mbanë peng edhe sot ta njohim si duhet të vërtetën. Jetojmë në epokën digjitale të kombinimeve të 1-shave dhe 0-zerove. Por, po ashtu jetojmë në epokën e mendimit binar ku gjithçka shihet bardhezi. Ky mendim ka pasoja të rënda. Peter Pomerantsev para ca ditësh, në një shkrim të tij, ka thënë se për dallim nga dëshira e hipikut John Perry Barlow (po ashtu hipiku Stewart Brand cilësohet si ideolog i asaj që më vonë do të quhet internet), që hapësira kibernetike ta krijojë qytetërimin e mendjes, më human se qeveritë e mëparshme, ne sot gjendemi në distopinë e filmit “Blade Runner” ku ëndrrat për liri janë kthyer në vëzhgim; sikurse në atë film – ku bëhet lufta për ta bërë dallimin mes njerëzve të vërtetë dhe “replikantëve” robotë që imitojnë njerëzit – sot jemi në luftën e re për ta dalluar të vërtetën dhe gënjeshtrën, meqë realiteti po shtrembërohet. Pra, libri trajton edhe këtë aspekt, sepse shtrembërimin e realitetit nga të tjerët e kanë vuajtur shqiptarët, por shtrembërimi i tillë lë pasoja për secilin – edhe për atë që me mashtrime synon të keqen për tjetrin. Shembull për këtë është sot Ukraina dhe Rusia.
● Kthimi në periudhat e kaluara të historisë kombëtare është një veçori që haset shpesh në shkrimet tuaja; një qasje kjo efektive për ta shikuar të kaluarën nga një perspektivë tjetër, apo për të reflektuar përmes saj në realitetin aktual. Relacioni kompleks mes historisë dhe aktualitetit është një tipar vetëm i botës shqiptare, apo i ballkanasve në përgjithësi?
Në shoqëritë shqiptare nuk ka studime të mirëfillta sociologjike apo psikologjike apo … nga të cilat mund të nxirren mësimet të dobishme për të sotmen. Mendoj se historia është shembull për të reflektuar. Por, mendoj se historia shqiptare është rob i ideologjisë komuniste. Njerëzit janë të prirë ta projektojnë fajin kudo tjetër, duke krijuar mite të reja, duke synuar për të filluar gjithnjë nga zeroja. Në vend se të kërkohen zgjidhjet për të nesërmen, projektohen të vërtetat për të kaluarën. Pos kësaj, jemi të vetëdijshëm për shkrimet që marrin pëlqime në internet, që mund të quhen fantahistori. Studiuesja Cecilie Endresen ka tërhequr vërejtjen për këtë duke përmendur mitologjinë e re të “Pellazgianizmit”, me ndjekësit që besojnë se shqiptarët kanë lidhje me egjiptianët e lashtësisë, pastaj me majatë e Amerikës, me hyjni dhe madje me UFO-t. Ndërsa, Robert Elsie ka thënë se shqiptarët nuk kanë traditë për ta shkruar historinë si histori neutrale dhe se gati të gjithë librat e botuar në trojet shqiptare janë veçse opinione për historinë. Në libër gjykohen tendencat e të gjithë popujve të Ballkanit për ta retushuar të kaluarën. Miti serb për Kosovën dhe mendësia e tyre për serbët krejt dhe kudo, ka shkaktuar vuajtje te shumë popuj. Por, pa pasoja nuk kanë kaluar as serbët. Nga kjo qasje, ku historia bëhet vegël e pushtetit, besoj se shqiptarët duhet të shmangen.
● Pra, viti 1981 është vit ku zë fill kujtesa juaj; në kapitullin e dytë na shfaqet edhe skena e parë e memorizuar ku gërshetohet dhuna (përmes imazheve të tankeve), censura ( përmes vërejtjes ‘hesht’ që dikush ua drejton) dhe përpjekja për arratisje (që nënkuptohet nga fjala ‘kokakola’ që e thoni pa arsye). A do të mund të thuhej se në atë skenë është edhe pikënisja e zhvillimit tuaj jetësor, përcaktimi apo zgjedhja e asaj çfarë do të jeni më vonë?
Po kthehem prapë te historia. Jeni të vetëdijshëm për termin “jugonostalgjikët”. Shumëkush është i prirë të besoj se Jugosllavia komuniste ishte vend i mundësive. Mendimet e tilla i kam dëgjuar nga shumëkush, sepse është tendenca që e mira personale të jetë mbi atë kolektive. Kjo është arsyeja se pse kam zbërthyer historinë e komunizmit në përgjithësi dhe realitetin politik dhe ekonomik në Jugosllavi. Unë, nuk e di as sot se pse, para tankeve kam thënë kokakola. Në libër jam munduar të jap interpretime për këtë, por kjo fjalë ngjalli frikën e të tjerëve përreth dhe reagimin e babës tim kur ata më thoshin “shuj”. Ishte realiteti diktatorial i një shteti ku pranë imazhit të forcës kërkohej bindja dhe heshtja, për çfarë censurohej edhe një reagim fëmije që duhej të arratisej pranë babait për të kërkuar mbrojtje; ishte realiteti i shtetit të pabarazive më të mëdha në botë. Po e jap vetëm një statistikë nga shumë të tjerat për çfarë ka referenca në libër. Raporti i mirëqenies mes Kosovës dhe Sllovenisë ishte një me tetë. Dhe, nëse analizohen të dhënat për prodhimtarinë e Fabrikës së Coca-Colas në Lipjan, kjo po ashtu kuptohet meqë kjo pije, si simbol i lirisë dhe i barazisë në Perëndim, ishte simbol i pabarazive në Kosovë. Mirëpo, pos diktaturës, ne kemi jetuar edhe me të keqen tonë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Sepse, duke e menduar vetëm të mirën personale, atëherë kemi të bëjmë me fajin metafizik për të cilin ka shkruar filozofi Karl Jaspers: faji që të gjithë ne ndajmë kur lejojmë gjërat e këqija të ndodhin; dështimi për të ndihmuar të tjerët; marrja e veprimeve që në një farë mënyre mund t’i dëmtojë të tjerët dhe me vazhdimin e jetës tonë të zakonshme kur ne e dimë se shumë të tjerë janë krejtësisht të mjerueshëm dhe se ndonjëherë mjerimi i tyre po mbështet jetën tonë. Ky realitet i hidhur më ka bërë që mos ta ndjek ëndrrën që kisha si fëmijë, që të bëhem jurist. Pse? Sepse, siç më ka thënë nëna, në realitetin e tillë si avokat duhet ta mbrosh të keqen e nëse bëhesh gjykatës ta dënosh të mirën. Pra, ishte sistem që i thyen ëndrrat dhe dëshirat e fëmijës. Dhe, qëllimi im është që të shmanget sot thyerja e ëndrrave të gjeneratave të reja.
● Në këtë libër ju keni eksploruar të kaluarën shqiptare duke prekur çështje të rëndësishme të saj, jeni endur nëpër epoka, keni dialoguar me mendje të ndritura të të gjitha fushave të dijes njerëzore, keni bërë një ndërthurje të fakteve historike, filozofike, religjioze, por edhe nga bota e filmit dhe muzikës. U jeni referuar një numri aq të madh të burimeve të informimit sa që krijohet përshtypja se këtë libër e keni shkruar gjatë tërë jetës, apo së paku që nga çasti kur ka filluar të funksionojë kujtesa juaj. Kjo begati e informacioneve ishte e domosdoshme për t’i zbërthyer misteret e udhëkryqeve të historisë sonë, për ta zbërthyer absurditetin e së sotmes, apo të dyja këto?
E kam thënë edhe në libër se për të dhënë një mendim kam menduar se duhet të kem referenca të vërtetuara. Qëllimi ka qenë të shmanget mendimi binar, projeksionet e historisë dhe tendenca për të filluar gjithçka nga asgjëja. Në libër përdoret strategjia e njohur si PNI-ja [pozitiv, negativ, interesant apo plus, minus, interesant], strategji kjo që, sipas përkufizimit, na ndihmon që të kemi pikëpamje më të qarta për një temë nëse merremi me shkak-pasojën dhe me ndarjen e faktit prej opinionit. Para tre vjetësh kam botuar një shkrim me këtë titull: “Trinomi që mban peng shqiptarët: Rozafa, Avni Rustemi dhe Esat pasha”. Miti i Rozafës, me të cilin merrem edhe në libër, perceptohet si sakrificë për ta ndërtuar të ardhmen; një kala më të fortë; një shtet më të fortë … Rozafa perceptohet se është idealiste e shoqërisë njerëzore. Mirëpo, temë qendrore e mitit për të është tradhtia. Në anën tjetër, emri i Avni Rustemit ndërlidhet me emrin e Esat pashë Toptanit. I pari merret si patriot i padiskutueshëm, i dyti si tradhtar i padiskutueshëm. Prapë jemi te mendimi binar. Të dy emrat përdoren sa herë që nxitet ndarja në “ne” dhe “ata”! Në libër përmendet ndarja në “ne” dhe “ata”, por kjo ndarje sot bëhet përbrenda sojit për të etiketuar dhe për të qenë mjet politik. E vërteta është se Esat pasha nuk e meriton të jetë simbol i tradhtisë e as Avni Rustemi simbol i padiskutuar i patriotizmit. Në fund të këtij shkrimi kam thënë: Shqiptarët e shekullit XXI nuk kanë nevojë për Rozafën, Esat pashën e Avni Rustemin. As për viktima, tradhtarë e heronj të rinj. Dhe, këtë ide jam munduar ta elaboroj në libër për, siç thatë ju, zbërthyer misteret e udhëkryqeve të historisë ashtu edhe për ta zbërthyer absurditetin e së sotmes. Mirëpo, qëllimi kryesor është të shikohet kah e ardhmja. Në fëmijërinë time, e nesërmja kishte rëndësi. Sot, fatkeqësisht, legjitimiteti për të ardhmen kërkohet vetëm në të kaluarën.
● Citat: “Derisa Evropa e tejkaloi errësirën e Mesjetës, shqiptarët nuk luftuan shumë për të dalë në dritë, pa çka që ata [njëjtë si edhe serbët] janë të prirë që lëvizjet e cubave ose hajdutëve t’i interpretojnë si “luftëra për çlirimin kombëtar”. Në këtë citat të shkurtër, që e zgjodha rastësisht, vërehet qasja juaj çmitizuese ndaj të kaluarës. Mendoni që mitizimi është një nga shumë dukuritë që e kanë penguar progresin tonë?
Pjesa për lëvizjet e cubave është marrë nga Malcolmi. E tillë është tendenca e të gjithë popujve të Ballkanit. Në valën e lëvizjeve kombëtare, u projektua armiku më i madh e më i keqi në histori, Perandoria Osmane. Dhe, për çdo stagnim prapë faji kërkohet te sundimi osman. Si shembull mund të përmendet fjalimi i vitit 1981, i liderit të komunistëve bullgarë, Todor Zhivkov (1911-1998), që ka thënë se kur kah fundi i shekullit XIV Bullgaria bie nën sundimin osman, atëherë u ndal dhe u përmbys edhe rrjedha e natyrshme e zhvillimit historik. Dëshmi tjetër është, p. sh., legjenda serbe e Betejës së Kosovës, që pasqyron po të njëjtin fiksim në lidhje me trashëgiminë. E, kur është fjala për shtetin grek, atje më shumë merren me Antikitetin, me Bizantin ose me historinë moderne, jo shumë me periudhën osmane. Për studiuesin Mark Mazower kjo po ndodh jo sepse në Ballkan njerëzit janë të prirë për ta humbur veten në mjegullnajën e kohës, por për shkak se për ta të qenit evropian nuk thotë asgjë tjetër, përpos që ta mohojnë legjitimitetin e së kaluarës osmane. Mirëpo, të qenit evropian kërkon mendësi evropiane. Dhe, kjo është arsyeja që zbërthej ndarjen Lindje-Perëndim, mitomotirin dhe mitin antemural, sidomos në raport me Perandorinë Osmane. Por, për të mos hyrë në detaje, duhet cekur se të gjithë ne jemi produkt i së kaluarës, të mirë apo të keqe, por në Ballkan në përgjithësi është prirja për ta projektuar të keqen diku tjetër dhe për ta ndërtuar të ardhmen me mendësinë e shekullit XIX. Në libër ka paralele me përvojat e shumë popujve tjerë. Bëhet edhe dallimi mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Një rast nuk është përmendur në libër: Irlanda. Këto ditë, miku im dhe redaktori i librit, studiuesi Daut Daut, qëndron në Irlandë. E kaluara e këtij shteti ka qenë shumë e hidhur nën sundimin anglez, me zi buke apo ndalimin e përdorimit në publik të gjuhës (pak kush sot e flet irlandishten/galishten). Por, Irlanda është ndër vendet me përparimin më të madh ekonomik në Evropë. Historia duhet të lakohet vetëm para faktit. Irlandezët nuk e retushojnë të kaluarën, por merren më shumë me të ardhmen. E, modele të tilla të përparimit ka shumë në Evropë.
● Çfarë ju inspiroi ta shkruani këtë libër?
Meqë përmes filmit jam munduar të zbërthej shumë gjëra që ndërlidhen edhe me shqiptarët (libri “Andrra në beze”), kam menduar ta bëj të njëjtën përmes muzikës rok, duke e ndërthurur edhe fëmijërinë time. E kam cekur në libër, periudha e pandemisë i dha kah tjetër shkrimit, për të reflektuar për më shumë gjëra. Të njëjtën kohë përkeqësohet edhe gjendja shëndetësore e nënës time. Më kujtoheshin këshillat, frika e saj për të mirën dhe mirëqenien time. Në anën tjetër, izolimi e imponoi humbjen e kohës në rrjetet sociale dhe në komunikimet virtuale. Ajo që lexoja, apo projeksionet e së vërtetës që dëgjoja edhe nga njerëzit me të cilët komunikoja, më bëri ta ndryshoj qasjen. Më duhet këtu prapë ta citoj shkrimin e fundit të Pomerantsevit: njerëzit priren t’i adoptojnë mendimet që ata mendojnë se janë të zakonshme, atë që studiuesi i internetit, Samuel Woolley, e quan “konsensus prodhimi”. Falsifikimi i llogarive të mediave sociale çon jo vetëm në mashtrimin e përdoruesve individualë, por në një shoqëri që humbë kontaktin me atë që mendon në të vërtetë, e ku ajo që “mendon me të vërtetë” mund të riprogramohet. Dhe, kjo më shtyri të merrem edhe me të kaluarën, por, siç ka thënë kritiku Arsim Hamiti në një analizë të librit tim të fundit, në këtë rast e kaluara është pasqyrë e së tashmes.
● Emri juaj i shfaqet publikut shqiptar i lidhur me disa fusha të krijimtarisë, jeni gazetar, publicist, kompozitor, instrumentist, përkthyes, njohës i rok muzikës, njohës i filmit, teatrit, fotografisë e çka jo tjetër. Me cilën nga këto fusha identifikoheni më shumë? Cila prej tyre përfaqëson esencën e qenies tuaj?
Arti për mua ka qenë një formë arratisjeje; një formë e përmbushjes. Në rrethanat e viteve 1980 dhe 1990 kur – siç kam thënë në libër – jeta e shumicës së shqiptarëve ishte si dënim me vdekje, në një lojë të pistë të ruletit rus pa ditur kurrë se kur e kujt do t’i kërcas arma në kokë dhe kush mund ta ketë fatin e “amnistisë”, të mos shkrepjes së armës, arti ishte si mekanizëm mbrojtës që ndihmonte për ta krijuar një azil të qetësisë mentale. Artet janë të prira për të shtruar shumë pyetje, por përgjigjet nuk i jep artisti. Thjeshtë, nga degët e ndryshme të artit kam kërkuar gjithmonë përgjigje. Nuk e konsideroj veten ekspert, madje as njohës të mirë të gjithë asaj që u përmend në pyetje. Dhe, nuk e them këtë nga modestia, por sepse ashtu mendoj. Por, ajo që dua të them është që sot, në shekullin XXI, kur bota nuk është fshat global po një xhep global, është e lehtë për ta njohur të bukurën, apo së paku për të pasur referenca të duhura për vlerën. Në libër kam përmendur rastin polak, se si mbijetesën kombëtare e shihnin edhe përmes artit e kulturës. Dhe, ia dalin mbanë. Fatkeqësisht, sot jetojmë në një kohë ku secili shpallet kuturu piktor, fotograf, dramaturg shkrimtar, poet i madh dhe pjesë e lajmeve dhe e ndjekësve. Njerëzit janë të prirë për të besuar gjithçka. Miku im i madh, poeti Xhevdet Bajraj, për këtë realitet brengën më të madhe e kishte për gjeneratat e reja. Siç ka thënë ai, duke i lexuar dhe duke i ngrënë mbeturinat, u shndërruam në mbeturina. Sipas tij, e keqja është se fëmijët e lindur dhe të rritur në këtë kaos, po besojnë se kjo është gjendje normale, prandaj: shumica e tyre, gjatë leximit u fryjnë presjeve duke menduar se janë qerpikë të rënë, ndërsa pika hiq më pak se i vëllai binjak i mushkonjës që e mbyta pakëz më parë.
● Kam lexuar diku që një artist shumëdimensional është vështirë të jetë i lumtur; e vetmja mënyrë që ai të ndjehet rehat është të ushqejë gjatë gjithë kohës kërkesat e prirjeve të tij dhe të japë më të mirën nga vetja në shumë ndërmarrje… Nga kjo del që jo vetëm që nuk është aspak e lehtë, por të jesh artist multidimensional do të thotë të kesh dy alternativa, të punosh (lexo: të krijosh) në vazhdimësi, ose të bësh një jetë të trazuar. Cilën nga këto e keni zgjedhur ju?
Nuk e shoh veten si artist shumëdimensional, më shumë si adhurues i artit, i së bukurës. Gazetarja Natalie Nougayrède ka thënë se lajmi i rremë është i keq, por historia e rreme është edhe më e keqe. Do të shtoja se po kaq i dëmshëm është edhe degradimi i artit dhe kulturës për një shoqëri. Libri im ka qasje eklektike, ndërthurje të artit, autobiografisë, historisë, sociologjisë, psikologjisë, filozofisë, numerologjisë, religjionit, mediave etj. Dhe, po e përsërisë, qëllimi im ishte të ndërthuren mendimet për gjërat e dëshmuara dhe të shmanget mendimi binar për të mos besuar kuturu se diçka është krejt e bardhë apo krejt e zezë. Do ta përmendja këtu bashkëpunimin tim me një artist të madh që kemi, shumë të respektuar dhe njëkohësisht shumë të “heshtur” (shmang rrjetet sociale dhe promovimin e punës), Faton Hasimja. Ai i ka bërë kopertinat e katër librave të mi. Bashkëpunimi me të është i lehtë, kërkon librin dhe një përmbledhje të shkurtër. Dhe, ai e dërgon propozimin të cilin menjëherë e pranoj. Në këtë aspekt, jam i lumtur që interesimi im për art më ka bërë ta kuptoj më mirë artin dhe vlerën që ka një artist i mirëfilltë si Faton Hasimja (që është po ashtu piktor dhe fotograf i mirë). Në kopertinën e librit “1981”, në 3D ai e ka punuar një si bust (secili ka të drejtë ta shoh ndryshe), që duket se është i pagdhendur dhe që ka një vrimë në kokë. Por, ky “bust” i përpiluar nga numrat 1, 9, 8 dhe 1, e ka edhe shkronjën “ë”. Përgjigja e tij ishte: e vura se është shkronjë e veçantë shqipe. Dhe, kjo e pasuronte konceptin tim për librin, sepse në çdo temë mund të ketë diçka më shumë; gjithçka mund të kalitet e të bëhet më e qartë. Dhe, nëse këtë synoj ta përçojë; nëse kam dëshirë që vlera e jo lajmi të krijojë opinion, atëherë, siç thoni ju, jeta është e trazuar dhe të ndjek puna e pandërprerë.
● Dhe për fund: Autorët, në përgjithësi, ngarendin që librat e tyre t’i botojnë në shtëpi të njohura botuese, pse ju keni zgjedhur të shkoni kundër rrymës, duke botuar në klubin “De Rada”?
Nuk mendoj se kam shkuar kundër rrymës. Dhe, nuk kam ide se çfarë në shoqërinë tonë do të thotë shtëpi e njohur botuese, kur shumica ankohen për shitje, për mungesë leximi, të fondeve etj. Vlera gjithmonë është dytësore, sidomos nëse diçka perceptohet si joprofitabile. Unë kam pasur fatin që për tre librat e mi të parë të kem bashkëpunim shumë të mirë me Shtëpinë Botuese “Armagedoni”, që fillimisht e çmonte vlerën e librave të mi dhe pastaj kërkesat e mia për botimin. Botuesin Berat Dakaj nuk e kam dëgjuar asnjëherë të flasë diçka për aspektin material. Në anën tjetër, Klubi Letrar “De Rada” është nga më të suksesshmit në Kosovë, është shtëpi e madhe që shquhet për traditë, për shumë aktivitete të rëndësishme dhe po ashtu për punën profesionale. Unë kam pasur fatin të jem pjesë e aktiviteteve të këtij klubi, që janë shembull i punës së mirë dhe të ndershme jo vetëm për Kosovën; kam pasur fatin të krijoj miqësi të mirë e të shëndoshë me krerët e klubit që janë krijues dhe njerëz shembullorë (Zyrafete Shala, Gazmend Bytyçi dhe Arsim Hamiti). Dhe, u ndjeva i lumtur kur kërkuan ta botojnë librin tim dhe që bënë të pamundurën që të dalë më së miri. I falënderoj për këtë. Për mua, shtëpi e njohur dhe e madhe botuese është ajo që ka zemër dhe sinqeritet, respekt për tjetrin. Prandaj, e falënderoj Klubin Letrar “De Rada”, për angazhimin e pakursyer për librin tim “1981”. /Hejza/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje