Diplomati i pensionuar amerikan Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se Shaun Burns, ish-shefi i misionit diplomatik vëzhgues në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (KDOM), ka ekzagjeruar përshkrimin për UÇK-në.

Sipas dëshmitarit, ai ishte më i prirur që të besonte se kjo organizatë kishte hierarki organizative, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Kjo u tha pas përfundimit të pyetjeve nga ana e gjyqtarit Guénawl Mettraux kur pyetjet për këtë dëshmitar i filloi gjyqtari, Christoph Barthe.

Fillimisht, Hill u pyet për dy kabllograme të lëshuara gjatë luftës. Njëri prej këtyre kabllogrameve ishte i Shaun Burns.

Në këtë kabllogram, Burns kishte thënë se “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së përbëhet prej gjashtë zyrave kryesore; Politike, Informacionit, Logjistika, Policia, Drejtësia dhe Operativa”.

Ai tutje kishte thënë se Drejtoria Politike përbëhej nga shtatë persona e që një prej tyre jeton jashtë vendit duke e pasur fjalën për Bardhyl Mahmutin.

Ndërsa, për Thaçin e kishte përdorur termin “Komisar politik i Drenicës”, e që duket të jetë kreu i Drejtorisë Politike.

Përveç kësaj, ai kishte thënë se “Drejtoria Politike mund të jetë edhe një sinonim për udhëheqjen e UÇK-së”.

Për këtë, Hill tha se Burns ishte më i prirur që të besonte se ekzistonte një linjë hierarkie në UÇK.

“Kishte persona që nuk pajtoheshin me shumë gjëra që po ndodhnin atje në terren. Shaun ishte më i prirur se unë që të besonte se ekzistonte një objekt që kishte linjën hierarike të komunikimit që ndryshe njihej si UÇK-ja. Termi “komisar” është term perëndimor”, tha ai.

Sipas Hill, Burns mendonte se ekzistonte një strukturë e mirë-organizuar e UÇK-së.

“Unë nuk ndaja të njëjtin mendim sikur Shauni. Unë mendoj se kjo ishte një orvatje për të përshkruar një organizatë dhe mendoj se e kishte ekzagjeruar përshkrimin e kësaj organizate”, tha Hill. /Betimi për Drejtësi/