Njëzet e shtatë anëtarë dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajnohen në Itali. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga ambasada e Italisë në Tiranë, e cila thotë se trajnimi do të zgjasë një javë.
“Ka nisur sot trajnimi, i cili do të zgjasë një javë, i 27 hetuesve shqiptarë, anëtarë të BKH-së (National Bureau of Investigation), Zyrë shumë e ngjashme me Drejtorinë tonë Hetimore Antimafia (DIA) dhe që është pjesë e SPAK, strukturë e re e posaçme e ngritur në kuadër të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe që përfshin edhe Prokurorinë e Posaçme (SPO)”, thekson ambasada italiane.
Krahas autoriteteve italiane, në këtë trajnim morën pjesë kreu i SPAK, Arben Kraja dhe drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.
Ambasada thekson se trajnimi i hetuesve të BKH-së mbështetet nga projektit “Pameca V” dhe udhëhiqet nga Italia.
Gjatë trajnimit, hetuesit shqiptarë pritet të njihen me ekspertizën dhe praktikën më të mirë kombëtare italiane mbi çështjet strategjike si; lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Autoritetet fqinje veçuan rolin dhe bashkëpunimin e ngushtë që kanë me Shqipërinë në fushën e ekstradimeve./A2 CNN