Helvetas: Për një Kosovë më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe me më shumë mundësi për gra e të rinj

Gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, Drejtori Ekzekutiv i Helvetas Swiss Intercooperation, Melchior Lengsfeld, vlerësoi bashkëpunimin shumëvjeçar me institucionet kosovare dhe theksoi përkushtimin e organizatës për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirjen e grave dhe të rinjve në ekonomi, si dhe forcimin e qeverisjes lokale.
Në kuadër të vizitës, Lengsfeld u prit nga Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të cilin u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Helvetas, zhvillimet politike dhe socio-ekonomike në vend, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në Zvicër.

Në takim u vlerësua mbështetja afatgjatë e Helvetas në përmirësimin e qeverisjes lokale, zhvillimin ekonomik, përgatitjen e të rinjve dhe grave për tregun e punës si dhe tranzicionin e gjelbër, përmes projekteve të financuara nga Zvicra, Suedia, Bashkimi Evropian e donatorë tjerë.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua rritjes së përfshirjes së grave në tregun e punës dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të reja. Gjatë takimeve me sektorin privat dhe me gra ndërmarrëse, Lengsfeld nënvizoi përkushtimin e Helvetas për t’u mundësuar grave pjesëmarrje të barabartë në jetën ekonomike.
“Në programet e donatorëve për qeverisje, zhvillim ekonomik dhe punësim që zbatojmë ne, është arritur përparim i dukshëm në përfshirjen e grave, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë role udhëheqëse, si në institucione komunale ashtu edhe në sektorin privat. Megjithatë, mbetet ende punë për të arritur nivel më të lartë të përfaqësimit” – theksoi Lengsfeld.

“Në Kosovë pashë të rinj dhe gra që ndërtojnë biznese, ndikojnë në komunitetet e tyre dhe ndryshojnë narrativën për rolin që ata kanë në ekonomi. Ne besojmë se kur të rinjve dhe grave u jepet gjithashtu hapësira për zhvillim, zhvillohet e gjithë shoqëria”, shtoi ai.
Në takimin me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, u diskutua për mbështetjen që Helvetas ofron për komunat e Kosovës përmes projektit DEMOS financuar nga Zvicra, BE dhe Suedia, rëndësinë e Grantit të Performancës në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse, veçanërisht të grupeve të margjinalizuara.
Helvetas është aktive në Kosovë që nga viti 2001, ku përmes bashkëpunimit me institucionet vendore, partnerët lokal dhe donatorët ndërkombëtarë ofron përkrahje në fushat e qeverisjes së mirë, arsimit profesional, fuqizimit dhe punësimit të grave dhe të rinjve, zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor dhe tranzicionit të gjelbër.
Përmes partneriteteve me Qeverinë e Kosovës, komunat, sektorin privat dhe shoqërinë civile, Helvetas synon të forcojë kapacitetet lokale dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët në mbarë vendin.
“Helvetas mbetet e përkushtuar që përmes programave zhvillimore të donatorëve të mbështesë Kosovën në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm duke përdorur ekspertizën zvicerane, rajonale dhe lokale” – përmbylli Lengsfeld. /Telegrafi/







































