Haxhinasto-Kurti: Integrimi ekonomik, potencial i fuqishëm

Ministri Haxhinasto theksoi rëndësinë e proceseve integruese Shqipëri-Kosovë dhe nënvizoi aspektin ekonomik si pjesë e integrimit rajonal, gjë që është thelbësore për integrimin në BE.
Në takim u theksuar gjithashtu intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve tona për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në forumet rajonale. Në këtë kuadër, zoti Haxhinasto informoi deputetët e Kosovës për lobimin e zhvilluar nga delegacioni shqiptar, në takimet e zhvilluara gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Ministri Haxhinasto theksoi se në këto takime është theksuar ligjshmëria e procesit ndërkombëtar nëpër të cilën ka kaluar shpallja e pavarësisë së Kosovës, fakti që ajo është shndërruar tashmë në faktor paqeje e stabiliteti në rajon, is edhe argumenti se pavarësia e Kosovës nuk ishte një veprim i njëanshëm i saj, por u realizua në koordinim dhe drejtim të plotë nga komuniteti ndërkombëtar.
Gjithashtu, në takim u vlerësua se integrimi ekonomik në kuadër të integrimit rajonal, përbën një potencial të fuqishëm jo vetëm për tërheqjen e investimeve në të dy vendet tona dhe për të gjithë rajonin, por edhe sepse Shqipëria është porta hyrëse drejt vendeve të tjera të Ballkanit.
Kryetari i Delegacionit, Albin Kurti, i cili fillimisht takoi presidentin Bamir Topi, vlerësoi kontributin personal të presidentit Topi dhe të institucioneve të Shqipërisë për mbështetjen dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në ecurinë e reformave të saj për forcimin e shtetit, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të ngushtë. /Telegrafi/













































