Kur Shqipëria lëngonte nga vuajtjet, kur xhonturqit donin ta shtypnin frymën shqiptare, kur fqinjët iu hodhën Shqipërisë për ta bërë copë-copë, e kur fati i Shqipërisë prehej nga gërshërët e Fuqive të Mëdha, dolën në skenë burrat të cilët përjetësisht do t’i njohë historia për shpëtimin e Shqipërisë.

Hasan Prishtina, ky burrë që ngriti zërin në Parlamentin osman, tha se t’i mbrosh shqiptarët është detyrë që i takon civilizimit, sepse secili i civilizuar do ta ngre zërin kundër tragjedisë pesëshekullore. Ai thoshte se shqiptarët trajtohen si skllevër që mbi shpinën e tyre bartnin peshën barbarisë; se të lodhur e të dërmuar në sytë e botës, nuk ishin më njerëz, por krijesa pa fat të destinuara për zhdukje.

Hasan Prishtina e cilësonte Shkupin si kryeqytet të të gjithë shqiptarëve, ndaj kapi pushkën dhe nisi kryengritjen për çlirimin e tij. U bë zëri më i fuqishëm ndër shqiptarë. Misioni i tij ishte çlirimi nga zgjedha osmano- sllave, të cilit synim nuk iu nda deri në çastin kur mbylli sytë nga dora e tradhtisë.

Atdhetari i madh Hasan Prishtina u lind më 27 prill të vitit 1873, në qytetin e Vushtrrisë. Rrjedh nga një familje e shquar dhe fisnike nga Polaci i Drenicës. Filloi mësimet në vendin e lindjes, për të vazhduar më pas në gjimnazin frëng në Selanik. Më vonë merr rrugën për në Stamboll për të studiuar Drejtësi në Universitetin e Stambollit. Por, dashuria për Shqipërinë e shtyu që pas përfundimit të studimeve të kthehet në Shkup, për të nisur misionin e tij patriotik dhe frymëzues për popullin e shtypur. Veproi me klubin “Bashkimi” dhe hodhi idenë e tij se gjuha shqipe duhej të shkruhej me alfabetin latin.

Si politikan i shquar, u zgjodh dy herë deputet në Parlamentin osman – si përfaqësues i Prishtinës për Vilajetin e Kosovës. Si deputet u bë zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Për vuajtjet e popullit shqiptar dhe luftën e tij për liri, ishin zëri kryesor në Stamboll.

Pasi humbi pozitën e deputetit më 1912, ishte lagjja Taksim e Stambollit ku fillon veprimtarinë e ilegale, me patriotë dhe intelektualë të asaj kohe, për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Aty merret vendimi që të organizohet një kryengritje e përgjithshme e armatosur. Nisma e tij mori dhenë, pasi populli ishte lodhur nga sundimi xhonturk. Me 5 maj e deri 18 gusht, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e çliruan Vilajetin e Kosovës me kryeqendrën e tij, Shkupin. Kjo kryengritje bëri që autoritetet osmane të dorëzohen para revoltës shqiptare, duke pranuar 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes. Ky ishte hapi i parë për njohjen e autonomisë së vilajeteve shqiptare.

Në Luftën e Parë Ballkanike, Hasan Prishtina arrestohet nga forcat serbe dhe përfundon në burgun e Kalemagdanit në Beograd. Me urdhrin e Austro- Hungarisë, Anglisë dhe Italisë, do të lirohet.

Pas Konferencës së Londrës më 1913, ngarkohet me postin e ministrit të Bujqësisë dhe të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit. Në nëntor të po atij viti iu bashkua Esad pashë Toptanit. Emërohet edhe ministër në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, në kohën e Princ Vidit.

Lufta e Parë Botërore e gjen Kosovën në flakë. Hasan Prishtina nuk rri duarkryq dhe niset për në Kosovë, ku organizon një grup vullnetarësh përkrah trupave austro-hungareze. Largpamësia e tij çmohet për çka merr Urdhrin e Franc-Jozefit.

Për Hasan Prishtinën, veç Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e atdheut, i rëndësishëm ishte edhe edukimi i brezave të rinj. Ai e shihte edukimin si rrugëtim drejtë lirisë, sepse vetëm një komb i edukuar do të arrinte të çlirohej përgjithmonë nga pushtuesit. Për këtë kishte shkolluar qindra vetë me parat e tij.

Ai prapë do të burgoset nga forcat bullgare me 1917, e më 1918 – kur Kosova ripushtohet nga forcat serbe – largohet për në Vjenë. Qëllimi i tij ishte që ta ngrinte zërin e çështjes shqiptare në qarqet më të larta diplomatike evropiane. Zëri i tij shkoi deri në Amerikën e largët, ku i shkroi telegram presidentit amerikan Wilson për padrejtësitë dhe gjenocidin në të cilin po kalonin shqiptarët. U emërua në krye të dërgatës së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në Konferencën e Paqes në Paris, e do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare.

Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Në dhjetor të po atij viti, pas një grusht shteti me Mustafa Krujën, nxiti dorëheqjen e qeverisë Evangjeli. Pas qeverisë gjashtorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë, e pas dështimit të revolucionit të viti 1924, u largua jashtë atdheut. Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë bërë katër përpjekje për atentat. Vritet pabesisht me 13 gushtit të vitit 1933, në Selanik, nga Ibrahim Çelo.

Vrasja e Hasan Prishtinës trondit opinionin e asaj kohe. Një burrë që shkriu jetën e pasurinë për çështjen shqiptare, që u bë frymëzim për brezat e ardhshëm, meritonte respektin e çdo shqiptari.

Në vitet e ’90, kur Kosova lëngonte, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, me intelektualë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës, themeloi lëvizjen nën emrin “Hasan Prishtina”. Pas më shumë se 700 tubimeve nëpër të gjitha fshatrat e Kosovës, u arrit që të pengohet shpërngulja e ideuar nga Akademia Serbe. Edhe pse nën masa të rrepta nga regjimi serb, kur u mbyllën të gjitha institucionet në Kosovë, çmimi “Hasan Prishtina” iu nda nënës shqiptare e cila kishte lindur 16 fëmijë, e të cilët të gjithë qëndruan në Kosovë pavarësisht rrethanave të vështira për jetesë. Më pas ky çmim iu nda shumicës së figurave kyçe të politikës dhe diplomacisë botërore që ndikuan në çlirimin e Kosovës më 1999.

Veç çmimit “Hasan Prishtina”, lindi edhe iniciativa për ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës tek rrethi i flamurit në Prishtinë, nga ku ishte nisur ai për çlirimin e Shkupit. Por, kjo iniciativë u pengua me mosdhënien e lejes nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, me arsyetimin se një shtatore e tij ekziston në oborrin e Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”. Mirëpo, kjo shtatore nuk mund të vizitohet nga qytetarët pasi është brenda rrethojave të rektoratit. Po ashtu, iniciativa për shtatore në atë kohë u mbështet nga ish-kryeministri Hashim Thaçi me të vetmen kërkesë që të përmbushen procedurat ligjore (leja nga Komuna e Prishtinës).

Sidoqoftë, figura e Hasan Prishtinës mbetet e përjetshme në historinë shqiptare; vepra e tij jetësohet me pavarësinë e Kosovës dhe do merr kuptim të plotë kur të realizohen të drejtat e gjithë shqiptarëve në Ballkan.