Harry Kane shijoi momentin e veçantë në zhveshtore kur Conte i telefonoi për ta uruar për rekordin

Antonio Conte i ka telefonuar menjëherë sulmuesit të Tottenham Hotspur, Harry Kane, pas rekordit që vendosi me golin fitues në ndeshjen ndaj Manchester Cityt.
Anglezi e shënoi të vetmin gol në sfidën, në të cilën Spursat triumfuan ndaj Citizens në Londrën Veriore.
Ky ishte goli i 267 i Kane për klubin dhe në këtë mënyrë e kaloi Jimmy Greaves në listën e golashënuesve më të mirë në histori të Tottenhamit.
Dhe porsa arriti në zhveshtore, trajneri (që ka munguar për shkak se është operuar) i ka telefonuar yllit të tij kryesor për suksesin e arritur, megjithëse fjalët e 53-vjeçarit nuk dëgjohen mirë.
Conte ndodhet në Torino, ku është duke u shëruar pas ndërhyrjes kirurgjike për heqjen e fshikëzës së tëmthit, ndërsa skuadrën në këtë takim e drejtoi asistenti i tij, Cristian Stellini. /Telegrafi/





















































