Haradinaj: Në Junik po votojnë persona që s’janë banorë të komunës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune.
Ai ka ftuar Prokurorinë të hetojë rastet, transmeton Telegrafi.
"Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, do të bëjmë padi për secilin person veç e veç", shkroi ai.
Ai ka ftuar qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin.
Një reagim për situatën e ka bërë edhe AAK në Junik.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Junik përmes një komunikate për media thotë se ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me procesin e votimit në këtë komunë, duke denoncuar se në orët e fundit është tentuar ndryshimi i vullnetit të qytetarëve përmes votimeve të jashtëligjshme.
Sipas AAK-së, dy persona të paautorizuar kanë votuar në Junik pa qenë banorë të kësaj komune.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për Jeton Nitaj nga Drenoci dhe Kreshnik Smani nga Peja, të cilët janë cilësuar si “votues të huaj”.
AAK bën thirrje urgjente që Prokuroria e Shtetit dhe Policia të ndërhyjnë menjëherë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj këtyre personave dhe kujtdo që është përfshirë në këtë veprim të paligjshëm.
“Mbrojtja e demokracisë është në duart e Prokurorëve dhe Policëve prezent, andaj kërkojmë që të veprohet sipas ligjit. Për Junikun duhet të vendosin Junikasit!”, thuhet në reagimin e AAK-së.


















































