Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se një numër “i respektuar, jo i vogël” i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) i kanë premtuar votën në rast se ai do të ishte kandidat për president të vendit.

Në një intervistë në emisionin Pressing, Haradinaj tha se këto premtime i janë dhënë drejtpërdrejt, madje edhe në prani të kolegëve të deputetëve.


“Një numër i respektuar, jo i vogël edhe i deputetëve të VV-së më kanë thënë ‘nëse je në garë, e ke votën time’, e kanë thënë edhe në takime në prani të kolegëve të vetë”, deklaroi Haradinaj.

Ai shtoi se deputetët në fjalë “janë gjallë dhe munden me u deklaru edhe vetë”.

Haradinaj foli edhe për çështjen e kandidaturës për president, duke thënë se i duket politikisht e habitshme që kryeministri Albin Kurti nuk e ka propozuar Vjosa Osmani për një mandat tjetër.

“Jam i çuditur që Albin Kurti nuk e ka propozuar Vjosa Osmanin, sepse edhe e arritura e LVV-së është kontribut edhe e Vjosa Osmanit. Ka qenë garë e përbashkët, është bukur e habitshme moskandidimi i saj”, tha Haradinaj.

Sipas tij, mospropozimi i Osmanit nga ana e Kurtit nënkupton një anashkalim politik të saj, pavarësisht rolit që ajo ka pasur në fitoren zgjedhore të përbashkët.