Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë si panelist në Konferencën Ndërkombëtare mbi pagesat dhe infrastrukturat e tregut me temën “Rikrijimi i Pagesave për Epokën Digjitale”, mbajtur në Ohër dhe organizuar nga Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Holandës (De Nederlandsche Bank).

Në panelin e nivelit të lartë me temën “Realizimi i SEPA-s para anëtarësimit në BE: Përafrimi i infrastrukturës, rregulloreve dhe inovacionit”, ku morën pjesë guvernatorë të rajonit dhe përfaqësues të Bankës Botërore, Guvernatori Ismaili theksoi angazhimin e BQK-së për modernizimin e sistemit të pagesave, forcimin e infrastrukturës financiare dhe përgatitjen e vendit për integrim të plotë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) — si pjesë e procesit të afrimit me standardet e Bashkimit Evropian.


Në fjalën e tij, Ismaili u shpreh se Kosova ka kaluar nga reformat graduale në një transformim gjithëpërfshirës të ekosistemit të pagesave, i cili është tashmë i përafruar me praktikat më të mira evropiane. Ai theksoi se bankat dhe institucionet financiare në Kosovë tashmë zbatojnë formatin IBAN dhe standardin ISO 20022, ndërsa tregu është hapur për kompani FinTech, duke nxitur konkurrencë dhe inovacion në sektorin financiar.

Guvernatori i BQK-së foli gjithashtu për sfidat që mbeten në proces, përfshirë përputhjen me direktivat PSD2 dhe PSD3, forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe sinkronizimin teknik dhe operacional me standardet evropiane.

Ismaili nënvizoi se BQK e ka integruar procesin e SEPA-s në një strategji më të gjerë të transformimit të pagesave, që përfshin modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin e bankingut të hapur, pagesat e menjëhershme dhe gjithpërfshirjen financiare. Ai përmendi edhe projektin TIPS Clone, i cili do të mundësojë pagesa të shpejta kombëtare dhe ndërkufitare.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili falënderoi organizatorët dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe përkrahjen e vazhdueshme në modernizimin e sistemit të pagesave të Kosovës, duke e cilësuar integrimin në SEPA si një hap strategjik drejt integrimit të plotë evropian të vendit.