Turizmi në Kosovë viteve të fundit ka shënuar rritje të dukshme, ku grupe të shumta turistësh po vizitojnë vendin për të zbuluar historinë, kulturën dhe bukuritë natyrore.

Megjithatë, krahas kësaj, një fenomen shqetësues po prish këtë imazh pozitiv, e ai është operimi i guidave të huaja në Kosovë.


Këto guida po udhëheqin vizitat e turistëve të shumtë pa angazhuar guidat lokale, duke sjellë interpretime të pasakta dhe të njëanshme për historinë e Kosovës.

Muhamer Hasani, udhërrëfyes turistik në Kosovë në një prononcim për Telegrafin, ka shprehur shqetësimin e tij për operimin e guidave të huaja.

“Është bërë një dukuri shqetësuese që po ndodh prej vitesh, ku grupe turistësh vizitojnë Kosovën me guidat e tyre të huaja, pa përfshirë guidat lokale që janë të trajnuara dhe njohin historinë zyrtare të vendit,” ka deklaruar Hasani.

513841283 10161936909202060 1806580876249956015 n e1751374547716

Ai thekson se kjo situatë ka pasoja të rënda për imazhin e Kosovës.

“Njerëzit që vijnë nuk e dëgjojnë versionin e saktë dhe zyrtar të Kosovës si shtet. Nëpër këto ture dëgjohet histori që janë tragjiko-komike, ku dëgjon se Kosova është një territor të kontestuar midis Kosovës dhe Serbisë, ku histori të monumenteve të ndryshme paraqiten komplet fallco e qesharake ku Termokosi paraqitet si një përmendore e lirisë, apo që në Kosovë jetojnë 75% shqiptar”, tha Hasani.

Hasani gjithashtu vë në dukje se operimi i guidave të huaja nuk është vetëm problem historik, por edhe ekonomik.

“Të hollat që prodhohen nga turizmi duhet të mbeten tek guidat lokale dhe bizneset tona, jo të përfitojnë të huajt që nuk kanë asnjë lidhje me vendin”, tha ai.

Ai kërkon që autoritetet të ndërmarrin masa dhe të sigurojnë që guidat lokale të jenë pjesë integrale e çdo turi turistik në Kosovë, për të ruajtur dinjitetin historik dhe për të mbështetur ekonominë vendore.

Ndryshe sipas Ligjit Nr.08L-074 për Turizmin në kapitullin V neni 31 për udhërrëfyesin turistik të huaj thekson si vijon: “Udhërrëfyesi turistik i huaj i cili nuk është i regjistruar në Republikën e Kosovës për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik mund të shoqërojë grupe vizitorësh apo turistësh të huaj për qëllime turistike në territorin e Republikës së Kosovës në cilësinë e shoqëruesit të udhëtimit. Ai duhet të ketë si shoqërues udhërrëfyes turistik të regjistruar, siç parashihet me këtë ligj, në bazë të kontratës së shërbimit, i cili duhet të jetë i pranishëm gjatë vizitës të grupit të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.

Në rastin kur një shtetas i huaj ushtron profesionin e udhërrëfyesit turistik në territorin e Republikës së Kosovës, përveç përmbushjes së kushteve dhe kritereve sipas neneve 29 dhe 30 të këtij ligji, ai duhet të ketë edhe njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare, gjë të cilën duhet ta dëshmojë me rastin e aplikimit për kartelën e identifikimit dhe me përfshirjen në Regjistrin e Udhërrëfyesve Turistikë.

Pavarësisht dispozitave të këtij neni, Ministria mund të vendosë lejimin apo moslejimin e ushtrimit të shërbimeve të udhërrëfyesit turistik për shtetasit e huaj mbi bazën e marrëveshjeve dhe reciprocitetit me shtetin përkatës”. /Telegrafi/