Gruda: Kufizimi deri në tre herë për kryetarin e Kuvendit ka bazë kushtetuese e krahasimore, u bazua në dy analogji

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh.
Në njoftimin e publikuar të premten, thuhet se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë në procesin e votimit.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se interpretimi i Kushtetutës nuk është thjesht lexim i asaj që shkruan aty, por një aktivitet që ka për qëllim parësor të mbushë boshllëqet që ekzistojnë në të.
"Një nga metodat që përdoret për interpretimin kushtetues është metoda e analogjisë, e cila shfrytëzohet kur ka paqartësi ose boshllëqe në normat kushtetuese. Kjo vlen edhe për Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk përcakton qartë sa herë mund të votohet në Kuvend për të njëjtin kandidat për kryetar. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur numrin “tri herë”, duke u bazuar në dy analogji kryesore", transmeton Telegrafi.
Reagimi i plotë:
"LVV, në reagimin e saj ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kufizoi në vetëm tri herë të drejtën e votimit për të njëjtin kandidat për Kryetar të Kuvendit, paska thënë: “Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë? Ku është lidhja kushtetuese dhe doktrinare me numrin tre?”
Përgjigjja është se lidhja ekziston, dhe ajo bazohet në parimet dhe metodat e interpretimit kushtetues.
Interpretimi i Kushtetutës nuk është thjesht lexim i asaj që shkruan aty, por një aktivitet që ka për qëllim parësor të mbushë boshllëqet që ekzistojnë në të. Këto boshllëqe nuk ekzistojnë vetëm sepse hartuesit e Kushtetutës nuk i kanë parashikuar, por edhe sepse është e pamundur që çdo normë kushtetuese të parashikojë të gjitha dinamikat dhe ndryshimet shoqërore e politike.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të SHBA-së, John Marshall, ka thënë se Kushtetuta duhet të lexohet si një dokument “i menduar për të qëndruar ndër shekuj dhe, rrjedhimisht, për t’u përshtatur me krizat e ndryshme”. Pra, ajo është një dokument evolutiv, që duhet interpretuar në mënyrë evolutive. Ajo nuk është një manual që rregullon në mënyrë të saktë çdo gjë, por vendos parimet kryesore. Kur interpretohet, siç thotë Marshall, duhet të kemi parasysh “konturet e mëdha” dhe “qëllimet e rëndësishme” të saj.
Kjo lidhet me atë që njihet si “living constitutionalism” – konstitucionalizmi i gjallë ose interpretimi i gjallë, ku gjykatat marrin rolin për të interpretuar Kushtetutën në përputhje me nevojat e shoqërisë dhe për të zgjidhur problemet e saj. Për këtë, një tjetër ish-kryetar i Gjykatës Supreme të SHBA-së, Charles Evans Hughes, ka thënë: “Ne jemi nën një Kushtetutë, por Kushtetuta është ajo që thonë gjyqtarët se është.”
Kjo do të thotë se teksti i Kushtetutës nuk funksionon vetvetiu; ai merr kuptim përmes vendimeve të gjykatave kushtetuese. Nëse një gjykatë vendos se një veprim është kushtetues, atëherë ai vendim bëhet standard ligjor, pavarësisht nëse dikush mendon se kjo pasqyron ose jo “kuptimin e vërtetë” të tekstit.
Kushtetuta nuk duhet parë vetëm si një shprehje e vlerave të shkruara nga hartuesit, por si produkt i një procesi të vazhdueshëm vlerësimi nga ata që kanë mandatin ta interpretojnë atë.
Një nga metodat që përdoret për interpretimin kushtetues është metoda e analogjisë, e cila shfrytëzohet kur ka paqartësi ose boshllëqe në normat kushtetuese. Kjo vlen edhe për Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk përcakton qartë sa herë mund të votohet në Kuvend për të njëjtin kandidat për kryetar. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur numrin “tri herë”, duke u bazuar në dy analogji kryesore:
1. Analogjia e parë: Kushtetuta e Kosovës parashikon tre raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit.
2. Analogjia e dytë: Praktika e kushtetutave të shumë vendeve evropiane, të cilat parashikojnë kufizime të ngjashme në raste të këtilla.
Pra, numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese"./Telegrafi/


















































