“Gruaja e ujit” që mbron shëndetin tonë çdo ditë, Burbuqe Nushi - Latifi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital diskutuam me Burbuqe Nushi - Latifi, një emër i njohur në fushën e shëndetit publik në Kosovë, e veçanërisht kur bëhet fjalë për cilësinë e ujit të pijshëm.
Si udhëheqëse e Komisionit për Ujëra dhe Koordinatore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ajo ka mbi 30 vjet përvojë në monitorimin, analizimin dhe sigurimin e burimeve të ujit në vend.
- YouTube www.youtube.com
Nushi-Latifi nisi punën në fillim të viteve ’90, fillimisht si asistente e profesoreshës Selvete Hoxha-Krasniqi, e cila njihet si pionere në krijimin e sistemit të kontrollit të ujit në Kosovë.
“Ajo i ka v'nu themelet e kontrollit të ujit, unë mandej e kam vazhdu”, rrëfen Burbuqja me respekt të thellë për mentoren e saj.
Me kalimin e viteve, përkushtimi i saj i palodhur ka bërë që kolegët e saj vendas dhe ndërkombëtarë ta quajnë me përkëdheli “gruaja e ujit”.
“Është vështirë me punu me të – ajo s’din mu ndalë”, kishte thënë dikur për mentoren e saj, por tani vetë dëgjon të njëjtën thënie nga kolegët për veten.
Kur flet për ujin, Nushi-Latifi flet me pasion, me përkushtim, por edhe me kujdes maksimal.
“Uji është materie që tërhek, s’ki mundësi tjetër veç me u marrë me të 24/7”. Nëse doni me ditë sa i sigurt është uji, unë i kam tri mesa: Rrona, Driga dhe Hana – tri mbesat e mia. Kur vijnë te na në shtëpi, pinë ujin prej rubinetit”, tregon ajo me krenari, duke theksuar se kjo është prova më e sinqertë që ajo i beson cilësisë së ujit që kontrollon çdo ditë.
Por sa i sigurt është uji për pije?
Nushi-Latifi tha se sipas të dhënave më të fundit nga IKSHPK, uji i pijshëm në Kosovë ka një përputhshmëri bakterologjike prej 99.26 për qind me standardet e Bashkimit Evropian.
“Kjo është statistikë për gushtin e vitit 2025. Me fjalë të tjera, në 99.26% të rasteve, uji është plotësisht i sigurt për konsum,” thotë ajo. /Telegrafi/
















































