FC Shkupi vazhdon të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri dhe sot ka prezantuar përforcimin e tretë në këtë afat kalimtar. Pas mbrojtësit Emre Kadri dhe mesfushorit Adonis Milaj, radhën e ka marrë portieri gjerman Maximilian Grote, një 22-vjeçar me përvojë në futbollin gjerman, që pritet të sjellë stabilitet në shtyllat e portës, njofton Telegrafi.

Gardiani gjerman ka kaluar fazën e tij zhvillimore në akademitë e Mainz 05 dhe SV Wehen Wiesbaden, dy klube të njohura për punën me të rinjtë në Bundesligë. Në nivel senior, Grote ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij te FV Engers 07 dhe Rot-Weiß Koblenz, ku ka grumbulluar mbi 40 ndeshje zyrtare.


Transferimi i Grote në Çair shihet si një hap strategjik nga drejtuesit e FC Shkupit, të cilët besojnë se ai do të shtojë konkurrencën mes shtyllave dhe do të ofrojë siguri, qetësi dhe besueshmëri në portë.

Në një merkato ku po investohet me kujdes në profile të reja, FC Shkupi tregon se me Grote-n në skuadër, bardhekaltërit kanë një tjetër armë të vlefshme për sezonin që vjen. /Telegrafi/

telegrafi sport app