Në episodin e dytë të serisë së re të “Përballje Podcast” në Telegrafit.com, kushtuar integritetit medial dhe zgjedhjeve në Kosovë, është trajtuar çështja e dhunës ndaj grave në politikë, përfaqësimi i tyre në fushata dhe gjuha e urrejtjes online.


Në diskutim morën pjesë Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, dhe Mimoza Koprani Muçaj, producente dhe autore e emisionit “Konfront” në KTV.

Demolli theksoi se gratë në politikë po përballen me barriera të dyfishta – mungesën e mbështetjes brenda partive dhe dhunën e vazhdueshme online.

“Pjesëmarrja e grave në fushata lokale po degradon. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të fituar komuna dhe shpesh ua hedhin fajin pse nuk janë pjesë e garës. Një shpifje, një fjalë e pavërtetë, e ndjek një grua gjatë gjithë jetës. Kjo nuk është vetëm betejë politike, por edhe barrë personale dhe emocionale”, tha Demolli.

Ajo u ndal edhe te mungesa e politikave të brendshme që mbrojnë gratë nga ngacmimi apo diskriminimi, duke theksuar se “edhe kur kandidojnë, ato përballen me kushte të pasigurta dhe me narracione që nuk adresojnë problemet reale, si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit”.

- YouTube www.youtube.com

Ndërkohë, Koprani-Muçaj tha se sfida për gratë fillon që nga ftesat për debat publik.

“Është sfiduese t’i sjellësh gratë në studio, sepse shpesh portretizohen thjesht si feministe, e jo si zëra për drejtësi e barazi”, u shpreh Koprani-Muçaj.

Sipas saj, partitë shpesh i vendosin kandidate aty ku e dinë se nuk do të fitojnë.

“Kjo është një formë tjetër e dhunës politike – gratë futen në garë si dekor, jo si alternativa reale për pushtet. Ndërkohë, rrjetet sociale po shndërrohen në një hapësirë ku ato masakrohen me komente e fyerje,” tha ajo.

Sipas saj gara po shoqërohet me sulme e etiketime, duke treguar se gratë nuk përballen me garë të drejtë, por me një klimë të padrejtë e të dhunshme.

Luljeta Demolli e Mimoza Koprani Muçaj në "Përballje Podcast" në Telegrafi.comFoto: Ridvan Slivova

Të dyja bashkëbisedueset nënvizuan se dhuna online lë pasoja afatgjata, që shpesh ndikojnë në jetën private të grave dhe në shëndetin e tyre mendor.

Seria e dytë e “Përballje Podcast”, me autor Muhamet Hajrullahu, sjell tetë episode mbi integritetin medial, demokracinë dhe sfidat e dezinformimit gjatë zgjedhjeve në Kosovë./Telegrafi/