Grabitje në Deçan - dy persona me veturë ndalen dhe ia marrin viktimës 1600 euro, Policia jep detaje

Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka njoftuar për një rast të grabitjes në Deçan, ku një personi është raportuar se i janë grabitur 1600 euro.
Në njoftim thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor në Deçan, më datën 11.03.2025, rreth orës 00:35, është njoftuar se në rrugën “Elez Geci dhe Maxhun Berisha” nё Deçan, ka ndodhur një grabitje.
“Policia e Kosovës menjëherë i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje kanë takuar tre persona të cilët kanë informuar se viktima e rastit ishte ndaluar nga dy persona me veturë me targa vendore dhe sipas deklarimit të viktimës të dyshuarit ia kanë grabitur një mijë e gjashtëqind (1600) euro dhe një telefon mobil të cilët janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Pas një pune intensive të hetuesve, të dyshuarit janë identifikuar dhe të njëjtit janë arrestuar.
Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. /Telegrafi/




















































