Grabitje e armatosur në Prizren, policia sekuestron arsenal armësh gjatë bastisjes

Një grabitje e armatosur ka ndodhur në fshatin Zym, Prizren, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur dyshohet se kanë ndaluar dy qytetarë dhe u kanë marrë një shumë parash.
Sipas raportit, ngjarja ka ndodhur më 11 prill 2026 rreth orës 16:15, kur viktimat, duke udhëtuar me veturë, kanë hasur në pengesa me gurë në rrugë. Pasi janë ndalur për t’i larguar ato, dy persona të armatosur me armë automatike (AK-47) u kanë dalë përpara dhe kanë kryer grabitjen. Pas aktit, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur, duke shtënë me armë në drejtim të pyllit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, të cilat kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë fisheku. Lidhur me rastin janë intervistuar dy të dyshuar, të cilëve u janë sekuestruar edhe telefonat mobilë, por për shkak të mungesës së provave janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në vazhdën e hetimeve, policia ka kryer kontroll në një lokacion në Krajk, Prizren, ku janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme municioni dhe pajisjesh të lidhura me armë.
Sipas policisë, gjatë bastisjes janë sekuestruar 276 fishekë, katër karikatorë të zbrazur, dy gëzhoja, një predhë fisheku, një vazhdues i tytës së pushkës, një palë dylbi si dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Rasti po hetohet nga njësitet përkatëse policore, ndërsa autoritetet janë në kërkim të personave të përfshirë në grabitjen e armatosur. /Telegrafi/





















































