Goli mahnitës i Gareth Bale nga goditja e dënimit po vlerësohet lartë

Gareth Bale i ktheu vitet pas me një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për Kombëtaren e Uellsit, teksa ata synojnë të kualifikohen në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Uellsi fitoi me rezultat të ngushtë 2-1 ndeshjen ndaj Austrisë në kuadër të gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës.
Kjo fitore erdhi falë paraqitjes së jashtëzakonshme të yllit të ‘humbur’ të Real Madridit, Bale, i cili shënoi dy golat (25’, 51’), ndërsa për Austrinë shënoi Marces Sabitzer (64’).
Megjithatë, goli i parë i ndeshjes ka ‘vjedhur’ gjithë vëmendjen dhe po përfolët më së shumti në rrjetet sociale.
Bale arriti të shënojë një supergol nga goditja e dënimit nga rreth 20 metra, duke mos i dhënë asnjë mundësi intervenimi portierit austriak.
Pas këtij goli kanë shpërthyer rrjetet sociale, duke e lavdëruar Bale, ndërsa shumë kanë mbetur edhe të befasuar pasi lojtari nuk po luan kurrë te Reali. /Telegrafi/














































