LAJMI I FUNDIT:

Gogoli ose teatri që dënon veset që gjykata mund t’i tolerojë

Gogoli ose teatri që dënon veset që gjykata mund t’i tolerojë

Nga: Driada Dervishi

Nikolai V. Gogol është një nga shkrimtarët më të mirë rusë dhe botëror, vepra e të cilit, ndonëse është shkruar në shekullin e XIX, ka fituar vlera të përjetshme.

Në vitin 1836, shfaqet në skenë “Revizori”, një komedi në të cilin Gogoli satirizoi shoqërinë ruse në mjediset burokratike të carit Nikollai. Ai i portretizoi disa zyrtarë tipikë të korruptuar e mendjeshkurtër të një province, duke i gërshetuar me ngjyrime sa apokaliptike aq dhe absurde.


Alexander Pushkin (1799-1834) është një nga shkrimtarët më të njohur rusë të shekullit XIX. Ai dhe Gogoli ishin shokë të ngushtë. Gogoli thoshte se historinë ia kishte sugjeruar Pushkini në një bisedë në vitin 1835 dhe se ai do ta kthente në një komedi me pesë akte. Atij nuk i interesonte nëse ishte për të qeshur apo jo, për sa kohë të ishte një anekdotë ruse. Mburret madje duke i thënë se do ta mbaronte së shkruari sa hap e mbyll sytë dhe i betohet se do të jetë djallëzisht qesharake.

Nuk ka një letër që i përgjigjet Pushkinit, megjithatë e përfundoi komedinë brenda dy muajve. Premiera u dha ne skenën e teatrit “Alexandrinski” në Shën Petersburg. më 19 prill 1836. Perandori Nikollai ishte i pranishëm në shfaqje e pasi e pa tha: “Në këtë komedi të djallëzuar; ka për të gjithë ne dhe secili prej nesh ka diçka të vetën aty. Unë ndoshta më shumë se të tjerët”!

Gogolit nuk i pëlqeu shfaqja dhe aktoret nuk e kishin kuptuar si duhet. Ai vendosi të bëjë disa ndryshime duke specifikuar si duhet të ishte skena e fundit. Bëri disa ndryshime edhe më 1842 edhe më 1851.

Kjo komedi satirë pati reagime të ndryshme. Kritika e kohës ishte e përzier: disa e mirëpritën e disa e quajtën si një situatë të pamundur dhe vulgare, deri një reaksion i ashpër nga qarqet.

Janë këto shigjetat e para të hidhura të Gogolit, të cilat godisnin ashpër me forcën e madhe artistike dhe emocionale. Pati nga ata që i cilësuan personazhet “si mostra çnjerëzorë dhe absurdë”.

Gogoli tejet i shqetësuar nga këto reagime, largohet nga vendi dhe i shkruan një mikut të tij: ”Ata janë të gjithë kundër meje, abuzojnë me veprën time dhe prapë shkojnë ta shohin… Një profet asnjëherë nuk nderohet në vendin e tij”.

Megjithatë, kjo nuk e ndaloi këtë komedi të kthehet në një nga komeditë më të njohura ruse që vihet e rivihet vazhdimisht. Shkrimtari Vladimir Nabokov e vlerëson këtë pjesë si një komedi që nis me “një vetëtimë verbuese dhe mbaron me një bubullimë”.

Gjatë dy shekujve, komedia është vënë mjaft herë dhe po aq ka variante për televizion, opera, balet dhe film.

Tani mund t’i merrni shkrimet tona edhe me email! Kritika e sotme pothuaj universalisht bie dakord për gjenialitetin e komikes dhe dramatikes të përdorur tek “Revizori” dhe e etiketon një kryevepër komike, madje ai një nga komeditë më të mëdha të shkruara ndonjëherë në skenën ruse. Gogoli është cilësuar si babai i realizmit rus dhe “Revizori” prezantoi parimet dramatike të realizmit në skenë. Nevoja për një realizëm e vërtetësi në skenë ishte një nga shqetësimet e tij kryesore, duke pasë parasysh edhe natyralizmin e asaj kohe. Ai qëllimisht gërsheton burleskun me një fabul të jetës së përditshme që u flet vazhdimisht njerëzve. Kjo komedi vjen sot si një domethënie e ngjarjeve të përditshme.

“Revizori” hyn në vetë thelbin e teatrit, i cili konsiston në të bërit shfaqje të gjalla të ngjarjeve të ndodhura apo të trilluara ndërmjet qenieve njerëzore duke i parë nga këndvështrim zbavitës. Është funksioni më fisnik që mund të gjejmë për të. Ironia, keqkuptimi dhe situata komike përbëjnë thelbin e “Revizorit”. Me anë të teatrit mund të dënosh me mijëra vese që gjykata mund t’i tolerojë dhe të lartësosh mijëra virtyte që kjo e fundit mund t’i kalojë pa shumë komente. Veset dënohen më fort në komedi e në satirat të cilat trajtojnë tema nga jeta e përditshme.

Për sa mund të tingëllojë e tejkaluar, them nuk duhet të harrojmë që misioni i artistit profesionist është përsosja e njeriut dhe e shoqërisë ku edhe humori dhe satira shërbejnë për të treguar hapur fenomene, në këtë rast korrupsionin, e për ta sjellë aq të vërtetë sa njerëzit të distancohen e vetvetiu të kërkojnë ndryshim.

Sipas estetikës së komikes, dramaturgu, dhe nga ana tjetër aktori që e përcjell atë, vë në fokus të syrit kritik të shëmtuarën, të ultën. Personazhet, tipat dhe karakteret me vese, nëpërmjet situatave komike, ngjarjeve dhe episodeve të tilla, vihen në lojë, qeshen e përqeshen, satirizohen dhe ironizohen. Kjo komedi është një komedi karakteresh dhe situatash dhe duhet mbajtur larg nga krijimi i të qeshurës pa ide e pa përmbajtje, apo thjesht për hir të së qeshurës. Me këtë shfaqje duhet të përpiqemi t’i afrohemi sa më shumë asaj “të qeshurës përmes lotëve”, tipike gogoliane, ku përzihet ironia, humori dhe groteskja. Satira është përdorimi i humorit, ironisë, ekzagjerimit, jo vetëm për të vënë lojë, por edhe për të evidentuar dhe kritikuar budallallëkun, veset, injorancën e një individi apo një shoqërie.

“Revizori” nuk njeh kohë. Është satirë e administratave të korruptuara, të çdo kohe; një komedi keqkuptimesh që nxjerr në pah babëzinë njerëzore, hipokrizinë dhe mediokritetin. Ngjarja vendoset enkas në një qytet të vogël, disi të humbur, ku kryetari i tij është i zhytur në korrupsion e po ashtu dhe ata që vijnë pas tij, duke dhënë kështu idenë se të gjithë qytetet e kanë një administratë të tillë. Gogoli gjithsesi ia vë fajin individëve dhe jo kushteve, pasi janë ata vetë që i ndërtojnë kushtet. “Nuk ta ka fajin pasqyra në e paç surratin e shtrembër”. Gogoli e vendos këtë fjalë të urtë ruse përpara se të fillojë teksti dramatik, e kjo fjalë kthehet në fakt në vetë mesazhin e veprës: njerëzit shpesh kërkojnë dikë për ta fajësuar, ndërkohë që janë ata vetë problemi. Administrata që na paraqitet në pjesë është tërësisht e kalbur: ata gënjejnë, shpërdorojnë fonde, kërkojnë ryshfete në mënyrë të paturpshme, nuk i kryejnë detyrat e tyre, e shtypin popullin, e mbajnë peng atë dhe shqetësohen vetëm për veten e mirëqenien e tyre. Kjo thënie përkthehet konkretisht në fund të shfaqjes, në të cilën aktorët ndërrojnë vendin me spektatorët. Aktorët e shohin publikun në sy, duke lënë të kuptohet që në fakt ata (aktorët) janë thjesht pasqyra ku reflektohen ata (publiku).

“Me kë po qeshni hë? Po qeshni me veten tuaj, me asnjë tjetër”, është një tjetër batutë e shtuar nga Gogoli pas rishikimit që ai i bëri tekstit herën e dytë dhe ishte e qëllimtë për të dhënë pasqyrimin e të kthyerit të syve të publikut nga vetja, gjë që vijon dhe në skenën e fundit. Këto fjalë i drejtohen publikut. Sa më gjatë e me vëmendje ta shohim një histori qesharake, aq më e trisht bëhet ajo!