Mbrojtja e disa të akuzuarve në rastin e tragjedisë së Koçanit ka bërë një sërë vërejtjesh për punën e Prokurorisë.

Siç thonë ata, aktakuza është e paqëndrueshme dhe se në publik shpërndahen informacione të pasakta për përgjegjësinë institucionale.


Mbrojtja e punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë dhe inspektorëve të tregut pretendoi se ata kanë kryer vetëm kontrolle dokumentesh pa kompetenca inspektuese dhe se nuk kanë mundur të parandalojnë zjarrin në lokalin e natës “Puls”.

Prokuroria deklaroi se provat do të tregojnë se objekti ka qenë “kurth vdekjeprurës” për shkak të neglizhencës sistematike dhe gabimeve institucionale. Në bankën e të akuzuarve janë 37 persona, përfshirë pronarë, zyrtarë, inspektorë dhe ish-funksionarë lokalë.

Gjykimi do të vazhdojë më 23 dhjetor me fjalët hyrëse nga mbrojtja e të akuzuarit Aleksandar Nacev, pronar i një agjencie të sigurisë, procedura e të cilit u bashkua me këtë pak para fillimit të gjykimit, si dhe të përfaqësuesve të dy personave juridik.
Gjykimi po zhvillohet nën masa të përforcuara të sigurisë, me praninë e të pandehurve, të afërmve të viktimave, prokurorisë, mbrojtjes dhe publikut.