Gjykimi ndaj Rrahim e Ilir Abdullahut, babai i Triumf Rizës: Janë dora e djathtë e Enver Sekiraqës, për dy vjet e kanë përcjellë Triumfin

Në gjykimin ndaj dy të akuzuarve, Ilir Abdullahu – “Liza” dhe Rrahim Abdullahu – “Rrumqi”, ka dhënë dëshminë Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, që është vrarë në vitin 2007.
Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu nga Prokuroria Speciale po akuzohen se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën kanë vrarë policin e Kosovës, Triumf Riza.
Në seancën e mbajtur më 23.04.2025, dëshmitari Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, për dy të akuzuarit, Ilir dhe Rrahim Abdullahu, tha se kanë qenë dora e djathtë e Enver Sekiraqës. Po ashtu, për të akuzuarit tha se të ndjerin Triumf Riza e kishin përcjellë për dy vite.
“Unë për këta dy persona e di që janë të afërm të Enver Sekiraqës, dhe janë dora e djathtë e Enver Sekiraqës dhe e kanë përcjellë vazhdimisht dy vjet deri në ditën e vrasjes, 30.09.2007, gjë që edhe e kanë kryer. Përcjelljen e kanë bërë në vazhdimësi, për këtë përcjellje ka dhënë deklaratë i ndjeri Triumf Riza edhe në polici edhe çështja është se vet AKI-ja 10 ditë para vrasjes ia ka tërhequr vërejtjen policisë që ta runi se është në rrezik mu vra Triumf Riza. Por këta janë kryesorët, Rrahimi me nofkën ‘Rrumqi’ dhe ‘Liza’ me emrin e vërtet Ilir Abdullahu, këta janë përcjellësit kryesorë dhe këta kanë ndiku që sot ma nuk është gjallë” , tha dëshmitari Riza.
“I ndjeri ka pasur punë vetëm me Enver Sekiraqën edhe atë në vijë zyrtare po mos të ishte në vijë zyrtare nuk do ishte i ndjeri sot i shpallur hero i Kosovës. Edhe një gjë nxitësi kryesor për me vra ka qenë Enver Sekiraqa për çka edhe është dënu e për qka gjykatësi e liroj e sot ka ik. Si nxitësi si vrasësi njësoj jonë bile ma i keq është nxitësi” – vazhdoi Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, në seancën e mbajtur më 23.04.2025.
Dëshmitari Shefqet Riza tha se të ndjerin e kishin përcjellë në mënyrë të organizuar, me vetura dhe skutera.
“Ka ndodhë i ndjeri m’u ballafaqu me kriminela e ka përfundu vorr”, tha Riza.
Për babanë e Triumf Rizës patën pyetje edhe avokatët e të akuzuarve.
“A mundesh ma detaje ku i keni evidentu këto përcjelle tyre me skutera?”, e pyeti avokati Ramë Dreshaj, i cili mbron të akuzuarin Ilir Abdullahu.
“Ka kaluar një kohë e gjatë 18 vjet, një ma kryesorët është në fshatin Stagova kur ja kanë qit gurët që mos me mujt me kalu”, tha babai i Triumf Rizës.
I njëjti tha se prezent nuk kishte qenë mirëpo se i ndjeri i kishte treguar po ashtu edhe djali tjetër Visari.
“Drejtpërdrejt ka pas punë vetëm me Enver Sekiraqën por ai i ka nxitë këta, këta janë të afërmit e tij, këta janë kryesorët”, tha Shefqet Riza.
“Për vet faktin që janë fajtorë kanë ikë” , shtoi tutje Riza.
Për të pati pyetje edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Abdullahu, avokati Xhemajl Ademaj.
“Pas rastit që ka ndodhë në Swiss Cassino ju deklaroni në bisedë e sipër me djalin ju ka thënë është ka më përcjellë një person si duket e ka emrin Rrahim”, e pyeti avokati Xhemajl Ademaj.
“E ka dhënë saktë emrin e tij dhe nofkën, tha pas problemit Swiss Cassino intensivisht këta dy e kanë përcjell Rrahim Abdullahu me nofkën “Rrumqi” dhe Ilir Abdullahu me nofkën 'Liza'”, deklaroi Riza.
Gjatë dëshmisë së tij, Shefqet Riza tha se përveç grupit të Sekiraqëve, djali i tij i ndjerë nuk kishte pasur ndonjë problem me dikë tjetër dhe edhe pse kanë kaluar 18 vjet nga vrasja e tij, si familje nuk mund ta harrojnë djalin e tyre.
Seanca e mbajtur të mërkurën, më 23.04.2025 u ndërpre ndërsa e radhës pritet të vazhdojë nesër, më 24.04.2025, ku do vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të radhës.
Kujtojmë se në seancën gjyqësore të mbajtur më 21.02.2025, ishte bërë bashkimi i dy lëndëve: bashkimi i lëndës së Rrahim Abdullahut dhe të Ilir Abdullahut.
“Prokuroria ka bërë kërkesë që të bashkohet, për shkak se kanë të bëjnë me një çështje të njëjtë penale dhe që të gjykohen këto dy çështje si një çështje për shkak të ekonomizimit”, kishte thënë gjyqtari Valon Kurtaj.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues: Valon Kurtaj (kryetar) dhe Lutfi Shala e Violeta Namani-Hajra anëtarë.
Rrahim Abdullahu akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, por Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2015 e kishte rikualifikuar veprën në “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, duke e shpallur fajtor për këtë vepër penale.
Gjykata Themelore e Prishtinës, me aktgjykimin e saj të datës 04.12.2015 e kishte shpallur fajtor Rrahim Abdullahu për shkak të veprës penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe e kishte gjykuar me dënim me burg prej 4 viteve e 11 muaj.
Mirëpo, Gjykata e Apelit lëndën për Rrahim Abdullahun e ka kthyer në rigjykim.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin e kishte kthyer në rigjykim lëndën për Rrahim Abdullahun.
“Aprovohen ankesat të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mbrojtësit të akuzuarit Rrahim Abdullahu, av.Miodrag Brkjaq, e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Prishtinë, PKR.nr.211/2014, të dt.04.12.2015, anulohet dhe çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ky vendim ishte marrë nga kolegji i gjyqtarëve të përbërë nga: Xhevdet Abazi – kryetar, Fillim Skoro – gjyqtar referues dhe Driton Muharremi – anëtar.
Për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza, që ndodhi më 2007, Policia e Kosovës, më 16.07.2023, e kishte arrestuar të dyshuarin Ilir Abdullahu. Abdullahu ka qenë në kërkim për 15 vjet nga organet e rendit, e arrestimi i tij kishte ndodhur më 16.07.2023 në Batllavë të Podujevës.
Doras i shpallur fajtor për vrasjen e Triumf Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua të vuajë 35 vjet burgim dhe Enver Sekiraqa, i cili është shpallur fajtor për shtytje në vrasje nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe është dënuar me 25 vjet burg.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për shtytje në vrasjen e Rizës. Për herë të parë, në vitin 2016, Sekiraqa ishte dënuar me 36 vjet burgim, kurse sërish më 2019, me 20 vjet burgim. Enver Sekiraqa ndodhet aktualisht në arrati dhe i njëjti kërkohet nga organet e rendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 01.09.2024, kishte ngritur aktakuzë kundër Ilir Abdullahut për veprën penale “vrasje e rëndë në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza”.
Më 03.08.2024, Ilir Abdullahut, i njohur si Liza, i është vazhduar edhe për dy muaj masa e paraburgimit.
Edhe në fillim të muajit prill, Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim që Abdullahut, të dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës, t’i vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit.
Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës, pasi kishte dhënë 100,000 euro dorëzani.
Gjykata e Apelit, më 03.11.2023, e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun.
Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se në ankesën e Prokurorisë Speciale pretendohet se aktvendimi për masën e dorëzanisë është në shkelje të dispozitave të procedurës penale. Kjo për faktin se për caktimin e kësaj mase duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar dhe se baza e vetme është rreziku i ikjes, andaj Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të njëjtit.
Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se ankesa e Prokurorisë Speciale është e bazuar dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme – lidhur me proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.
Andaj, edhe zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë, në vlerë prej 100,000 euro për të pandehurin nuk është i drejtë e i ligjshëm dhe se i pandehuri Abdullahu duhet të kthehet në paraburgim.
Gjykata Supreme e Kosovës e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që Ilir Abdullahun ta kthejë në paraburgim.
Gjykata Supreme e kishte refuzuar ankesën e avokatit të Abdullahut, Ramë Dreshaj, i cili kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, që të dyshuarin ta kthejë në masën e paraburgimit.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Ilir Abdullahu me tani të dënuarit, Arben Berishën e Fitim Avdiun dhe me të pandehurit, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, si grup i organizuar nga i pandehuri Enver Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, e me dashje që ta privojnë nga jeta të ndjerin Triumf Rizën, për shkak se i njëjti, më 24.12.2005, në lokalin “Swiss Casino”, në Prishtinë, e kishte rrahur Enver Sekiraqën, i cili kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit të Triumfit me Adelina Ismajlin, i njëjti nuk e ka lejuar që t’i japë reket (haraq) – të holla si më parë.
Në aktakuzë thuhet se një kohë e kanë përcjellë me vetura lëvizjet e të ndjerit, Triumf Riza dhe më 30.08.2007, derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, tani i dënuari Fitim Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Ilir Abdullahut me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramën”, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në Hotelin Grand.
Sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit, Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Arben Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokalit AMPM.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Rrahim Abdullahu përmes telefonit të tij i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar i ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “Rri qatu, hin mrena, se mir je, ma von të thirri”, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Arben Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Triumf Riza nuk kishte pritur kurrfarë sulmi, e me shpinë të kthyer nga ai, në distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafalë të shkurtra, duke e goditur me dy predha në shpinë, ku predhat, nga veprimi dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një predhë është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Për këtë, të akuzuarit Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu dhe Enver Sekiraqa, akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”. /Kallxo.com/



















































