Një gjykatë administrative në Koln, Gjermani, vendosi se zyra federale për mbrojtjen e rendit kushtetues nuk mund të klasifikojë Alternativën për Gjermaninë (AfD) si një “organizatë të dëshmuar kundërkushtetuese”.

Sipas gjykatës, edhe pse ekziston “dyshim i fortë” për tendenca kundërkushtetuese brenda partisë, nuk ka prova të pakundërshtueshme që këto tendenca i përkasin partisë në tërësi.


Një nga çështjet më të debatuara ishte përdorimi i termit “remigrim” nga disa anëtarë të AfD-së, që nënkupton dëbimin e qytetarëve me origjinë të huaj.

Gjykata theksoi se nuk ka plane konkrete për një gjë të tillë dhe se ky term nuk pasqyron bindjet e të gjithë partisë, raporton Reuters.

Në maj të vitit 2025, zyra për mbrojtjen e rendit kushtetues kishte cilësuar AfD-në si organizatë kundërkushtetuese, gjë që i jepte shërbimeve të sigurisë të drejtën të përdornin mjete të plota për të monitoruar aktivitetet e saj. AfD sfidoi këtë vendim në gjykatë, dhe tani gjykata i dha të drejtë partisë.

Presidentja e AfD-së, Alice Weidel, e përshkroi vendimin si “fitore të madhe” dhe tha se ai ndalon edhe zërat që kërkojnë ndalimin e partisë. /Telegrafi/