Gjykata Evropiane e Drejtësisë “godet” marrëveshjen Rama-Meloni, publikohet vendimi
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka dhënë një vendim që sfidon në themel marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për ndërtimin e qendrave të përpunimit të azilkërkuesve jashtë territorit italian. Në një vendim të zbardhur këtë të premte, Gjykata thekson se asnjë shtet anëtar i BE-së nuk mund të shpallë një vend “të sigurt origjine” nëse siguria nuk garantohet për të gjithë individët që e përbëjnë atë popullatë.
Ky vendim vjen pas një padie të ngritur nga Gjykata e Romës në lidhje me rastin e dy shtetasve nga Bangladeshi, të shpëtuar në det nga autoritetet italiane dhe më pas të transferuar në Shqipëri. Ata kishin kundërshtuar refuzimin e kërkesave për azil, me pretendimin se Bangladeshi, i përfshirë në listën italiane të “vendeve të sigurta” që nga tetori 2024, nuk ofron mbrojtje dhe siguri për të gjitha grupet e cenueshme.
Gjykata vendosi se përcaktimi i një vendi si “i sigurt” duhet të jetë i bazuar në të dhëna të verifikueshme, të jetë subjekt i shqyrtimit gjyqësor dhe të mos bazohet në kritere të përgjithshme politike. Vendimi nënkupton se gjyqtarët individualë kanë të drejtë të kundërshtojnë listat kombëtare të “vendeve të sigurta” kur ato bien në kundërshtim me realitetin në terren.
Qeveria italiane, e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni, reagoi menjëherë ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si një “tejkalim të kompetencave” nga ana e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Në një deklaratë të shpërndarë edhe në rrjete sociale, qeveria italiane akuzoi gjykatën evropiane se po minon sovranitetin e shteteve anëtare duke u dhënë përparësi vendimeve individuale të gjyqtarëve mbi analizat institucionale të organeve shtetërore.
“Gjykata i jep gjyqtarëve të vetëm fuqinë për të anuluar politikat e miratuara nga parlamente sovrane, mbi bazën të dhënash jo zyrtare,” thuhet në deklaratë.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës, Italia nuk ka sinjalizuar ndonjë tërheqje nga marrëveshja me Shqipërinë. Sipas autoriteteve italiane, qendrat do të përdoren tashmë për migrantët që kanë marrë një përgjigje negative për azil, duke shmangur aplikantët e rinj që mund të përfitojnë nga interpretimi i ri ligjor.
Aktualisht, numri i emigrantëve të strehuar në qendrat në Shqipëri është i ulët, vetëm disa dhjetëra, përkundër kapacitetit të shpallur prej 3,000 personash në muaj.
Ndërkohë, një rregullore e re e BE-së pritet të hyjë në fuqi në qershor të vitit 2026, e cila do t’u lejojë qeverive anëtare të shpallin vende “të sigurta” edhe me përjashtime për kategori të caktuara, duke përfshirë një qasje më fleksibël krahasuar me standardin aktual të vendosur nga GJED. /euronews.al/






























